Sport
Conte flet me gëzim dhe ndihet i lumtur me rikthimin e Eriksenit në fushat e blerta
Demokracia
08:26 | 22 Prill 2022

Share:

Trajneri i Tottenham Hotspur, Antonio Conte nënvizoi lumturinë e tij me rikthimin e Christian Eriksen në futboll pas arrestit kardiak verën e kaluar në Euro 2020 gjatë ndeshjes së Danimarkës ndaj Finlandës.

Dyshja punuan së bashku për 18 muaj te Interi përpara se trajneri italian të largohej në fund të sezonit të kaluar. Mesfushori danez pritej të vazhdonte me Nerazzurrët, por u detyrua të ndërpresë kontratën e tij pasi pësoi arrest kardiak, pasi rregullat e Serie A ndalojnë lojtarët që kanë një defibrilator ose stimulues kardiak të luajnë.

Duke folur në një konferencë për shtyp, Conte diskutoi rikthimin e Eriksen në aksion. Danezi iu bashkua Brentford si një transferim i lirë në janar dhe që atëherë është rikthyer për ekipin e tij kombëtar.

“Para së gjithash, jam shumë i lumtur që e shoh sërish duke luajtur futboll, sepse mos harroni në qershor ishte e tmerrshme, imazhet ishin të tmerrshme për të gjithë”, ka thënë fillimisht Conte.

“Ne vuajtëm shumë për të, për familjen e tij. Unë pata mundësinë ta shoh kur sapo kishte mbërritur në Brentford, pata mundësinë të flisja me të dhe familjen e tij”.

“Ne po flasim jo vetëm për një lojtar të rëndësishëm, por veçanërisht për një person të madh, një njeri të madh. I uroj atij dhe familjes më të mirën në të tashmen dhe të ardhmen. Të shoh përsëri, ta takoj të shtunën për një lojë do të jetë kënaqësi për mua”.

“Është e pabesueshme sepse jo shumë herë ndodh kjo dhe të shoh përsëri atë duke luajtur futboll më bën shumë të lumtur, sepse e di që futbolli është jetë. Të kesh këtë mundësi është e mrekullueshme për të dhe familjen e tij, sepse tani ata kthehen për të pasur një jetë normale”, përfundoi trajneri i Spurs.

Conte dhe Eriksen fillimisht nuk po gjenin njëri-tjetrin pas ardhjes së danezit në janar 2020, por gjërat u përmirësuan në fund të sezonit të tyre të dytë së bashku dhe ish-lojtari i Tottenham u bë një lojtar i rëndësishëm në ekipin e Interit. Ai shënoi tetë gola dhe dha tre asistime në 60 paraqitje për klubin. /Telegrafi/

Të ngjashme