Sport
Conceição: Pa pasur këto gjëra, as trajneri më i mirë në botë nuk i bën dot “derman” Milanit
Demokracia
13:07 | 30 Janar 2025

Share:

Trajneri i Milanit, Sergio Conceição, foli për mikrofonat e “Sky Sport”, pas humbjes 2-1 kundër Dinamo Zagrebit: “Të gjitha episodet e ndeshjes shkuan kundër nesh. Në pjesën e parë na mungoi gjithçka që është themelore në futboll. Humbëm duele, bëmë shumë gabime.

Kroatët deri te goli nuk kishin arritur në portën tonë, por edhe ne shpesh bëmë keq në 30 metrat e fundit. Gabimet teknike nuk janë problemi, por në duele duhet të japim më shumë. Më pas, me kartonin e kuq, gjithçka u komplikua. Kërkuam të paktën barazimin, pas golit të Pulisic tentuam edhe fitoren, por erdhi një tjetër gabim individual. Këto janë gjithmonë ndeshje të një niveli të lartë dhe duhet të jemi gjithmonë gati”.

Për mentalitetin e ekipit: “Ne i përgatisim ndeshjet, por kjo është vetëm baza. Pastaj mund të flasim për taktikën dhe sistemet e lojës. Duhet të hyjmë në fushë me më shumë forcë, duhet më shumë agresivitet në duele, kjo është e vërteta. Nuk dua të them gjëra të tjera për të qenë simpatik. Në pjesën e dytë hymë me më shumë forcë dhe ndryshimi u pa. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës, kemi kohë për t’u përmirësuar”.

Për zgjedhjet e formacionit dhe mungesat: “Kisha vetëm 17 lojtarë në dispozicion, i përshtata disa lojtarë në pozicione të ndryshme. Mos harroni se në stol kisha disa të rinj. Mund ta përdorja këtë si justifikim, ashtu siç mund të flisja edhe për arbitrimin, por nuk më intereson ta bëj”.

Si mund të përmirësohet Milani: “Varet nga krenaria e secilit prej nesh. Mund të flasim për taktikë dhe module loje, por po shihet që nuk hyjmë agresivë në duele dhe nuk jemi të pranishëm mjaftueshëm mendërisht. Pjesa e dytë më pëlqeu më shumë, sepse provuam ta fitojmë ndeshjen, nuk ia dolëm dhe tani mendojmë për sfidën e radhës. Duhet ta ndryshojmë këtë atmosferë, varet nga ne, por duhet të bëjmë më shumë”.

Mesazhi i trajnerit portugez ishte i qartë për lojtarët e tij: “Kur mungojnë bazat në futboll, është e vështirë. Ky është një sport i bazuar në duele të vazhdueshme, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Po reagojmë, por pse duhet të jemi gjithmonë të detyruar të reagojmë? Para ndeshjes kishim shumë më tepër motivim se ata dhe ishim përgatitur në detaje.

Megjithatë, secili duhet të japë pasionin e tij për futbollin, përndryshe është e vështirë. Mund të vijë edhe trajneri më i mirë në botë, por nëse mungojnë bazat, është e vështirë. Të futesh në një ndeshje të tillë në Champions League kështu, nuk e di…, është e vështirë. Me drejtuesit e klubit kemi një dialog të hapur për të parë ku mund të përmirësohemi, po kërkojmë zgjidhje për ta bërë këtë. Ende kemi gjithçka në dorën tonë për të ecur përpara”.

Trajneri kuqezi paralajmëroi edhe ndryshime në formacion: “Pashë lojtarë vërtet të trishtuar dhe të zhgënjyer pas kësaj ndeshjeje. Nëse nuk do të besonin tek unë, nuk do t’i kishim fituar të gjitha ndeshjet me përmbysje dhe me reagime të mëdha. Duhet të ndryshojmë qasjen tonë ndaj ndeshjeve. Nëse ata që luajnë nga fillimi nuk janë gati për ta bërë këtë, do të bëjmë ndryshime”.

Të ngjashme