Lajme
Çollaku tregon si e pa fjalimin e Ramës nga brenda dhe çka pritet për viza
Demokracia
12:42 | 13 Tetor 2022

Share:

Ish ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku i cili ishte pjesëmarrës dje në mbledhjen e Komisionit të Evropës, ka treguar si e pa nga perspektiva e tij fjalimin e cilësuar si të fuqishëm të kryeministrit Edi Rama në Strasburg, i cili nga dikush u pa heroik, e nga disa të tjerë si propagandues e populist. Çollaku ka treguar edhe se çka mund të presin kosovarët nga diskutimi për vizat atje…

Bekim Çollaku thotë se e vërteta e plasuar nga Rama para KiE i pengoi shumë shteteve, por edhe disa palëve këtu në Kosovë.

‘’Fjalimi i kryeministrit Edi Rama drejtuar Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kishte qëllim vetëdijësimin e ketij institucioni ndërkombëtar për padrejtësinë dhe njëllosjen e padrejtë që i është bërë Kosovës dhe Shqipërisë, si pasojë e akuzave të rrejshme kundër udheheqësve të UÇK-së për kinse trafikim me organe njerëzore. Fjalimi nxori në pah rrezikun dhe pasojat e rënda që shkaktojnë fabrikimet dhe informatat e pasakta. Në rastin konkret, raporti i Dick Martit i cili ishte i nxitur dhe konstruktuar nga Rusia dhe Serbia, e pastaj i aprovuar nga Këshilli i Evropës, ka dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës në botë dhe ka hedhur njolla e dyshime për luftën tonë për liri. Për më tepër, si pasoj e atyre trillimeve të pavërteta, Kosova është detyruar të themeloj Gjykatën Speciale e cila, është shndërruar në një mekanizëm përndjekës kundër ish- pjestarëve të UÇK-së.’’, ka thënë ai për Periskopin.

Tutje ai mendon se një qasje e tillë dhe paraqitje e Ramës do të duhej të përkrahej edhe nga kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani.

‘’E vërteta jo gjithmonë duartrokitet! Kështu ishte edhe dje sepse kishte reagime negative të pritshme nga shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Sigurisht që e vërteta për Kosovën dhe luftën tonë çlirimtare iu dhemb shumë, aq shumë sa edhe iu errëson të menduarit racional. Por e vërteta duhet mbrojtur me çdo kusht. Këtë e bëri dje dhe po e bën vazhdimisht kryeministri Edi Rama. Mjerisht, një gjë të tillë, pra mbrojtjen e të vertetës për luftën tonë çlirimtare nuk po e bëjnë udhëheqësit tonë shtetror, përveç kryetarit të kuvendit të Kosovës.’’, thekson ai.

Lidhur me pritshmëritë për viza, Çollaku deklaron se duhet të mbesim optimist duke pasë parasysh përvojën e hidhur ndonëse janë përmbushur gjitha kriteret nga ana e Kosovës.

‘’BE i ka diskriminuar qytetarët e Kosovës për më shumë se gjashtë vite, duke i mbajtur të izoluar përkunder faktit se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave në vitin 2016, atëherë kur Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Ne duhet të mbesim optimist të rezervuar për veprimet dhe hapat e fundit ëë duhet të merren nga ana e Këshillit të BE duke marrë në konsideratë përvojën e hidhur dhe trajtimin jo fer të Kosovës nga ana e BE në këtë proces.’’, përfundoi ai.

Diskutimi në Këshill të Evropës për liberalizimin e vizave pritet të nisë sot rreth orës 14:00-14:30, dhe se i njëjti do të jetë i mbyllur.

Kujtojmë që dje, shefi i BE’së në Kosovë, Tomas Szyong theksoi se ‘nesër nuk ndodh liberalizimi, dhe se do të ndodhin diskutime e diskutime’.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti u shpreh optimist se diçka do të bëhet, ndërkohë në të njëjtën konference tha se nuk e kishte dëgjuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Strasburg, por që ‘para se të mbrohet Kosova e lufta e saj, duhet të adresohet krimi i Serbisë në Kosovë’.

Të ngjashme