Lajme
Çollaku për fjalimin e Ramës në KiE: E zhveshi të pavërtetën
Demokracia
18:40 | 12 Tetor 2022

Share:

Bekim Çollaku, pjesë e ekipit të mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, e ka vlerësuar lartë fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, në asamblenë e përgjithshme të Këshillit të Evropës.

Çollaku ka thënë se Rama e ka zhveshur një të pavërtetë dhe e ka thënë të vërtetën rreth pretendimeve ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pika më e fortë e fjalimit ishte një përpjeke tepër e sinqertë dhe tepër institucionale për ta zbuluar të vërtetën mbi pretendimet e fabrikuara të Dick Martyt që solli një mori ngjarjesh që rezultuan me themelimin e Dhomave të Specializuara dhe ngritjen e aktakuzave ndaj ish-krerëve të UÇK-së”, ka thënë Çollaku për Klan Kosova.

“Rama bëri sot një përpjekje tepër serioze në institucionin më të rëndësishëm ku edhe ka filluar i gjithë procesi – zhveshi një të pavërtetë dhe solli një të vërtetë”.

Sipas tij, nuk është në pyetje fati i katër liderëve të UÇK-së, por është në pyetje fati i historisë më të lavdishme të Kosovës.

“Askush nuk duhet të ketë frikë ta thotë të vërtetën. Por e vërteta jo gjithmonë mirëpritet, aq më tepër nga deputetët aktualë – nuk janë ata që e kanë votuar draft rezolutën e hartuar nga Marty. Këta nuk mund të mbahen përgjegjës. Mirëpo këta duhet të mbahen përgjegjës për një të vërtetë të dëshmuar nëse nuk e adresojnë aty ku ka nisur”.

Sa i përket rezolutës së propozuar nga Rama për një raport vijues mbi akuzat e paprovuara ndaj UÇK-së, Çollaku ka thënë se ky do të jetë një proces i gjatë dhe i komplikuar.

“Deri më tani nuk kam dëgjuar një fjalim të tillë të ndonjë lideri tonë shtetëror, përjashto këtu ndonjë fjalim të ndonjë deputeti. Fjalën kryesore në këtë drejtim duhet ta ketë presidentja dhe kryeministri”.

Të ngjashme