Lajme
CNN: Inteligjenca amerikane dhe ajo perëndimore po vëzhgon Ballkanin Perëndimor, frikë nga ambiciet e Putinit
Demokracia
16:35 | 25 Shkurt 2022

Share:

Inteligjenca amerikane dhe ajo perëndimore janë duke e vëzhguar për së afërmi situatën në Ballkanin Perëndimor, për të parë kështu një aktivitet potencial të Rusisë, megjithatë, deri më tani nuk është parë diçka e jashtëzakonshme.

Burime të CNN bëjnë të ditur se një burim i afërt me inteligjencën u ka thënë se këto vëzhgime vijnë pas ambicieve të presidentit rus, Vladimir Putin, për një pushtim më të madh sesa ai në Ukrainë, përcjell Demokracia.com.

Gazetarët gjatë së enjtes e kanë pyetur sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, nëse kanë ndonjë informacion për planet e Putinit, deri sa ai është përgjigjur se dihet se çfarë dëshiron presidenti rus.

“Nuk ke nevojë për inteligjencë që të kuptosh se çfarë dëshiron presidenti Putin”, ka thënë ai para gazetarëve, përcjell Demokracia.com.

Sa i përket Ukrainës, ky burim ka thënë se zyrtarët e inteligjencës perëndimor vlerësojnë se plani i Rusisë është që të rrëzojë qeverinë në Kiev dhe të vendosë një qeveri të afërt me Putinin.

Ndërkohë, Rusia mëngjesin e së enjtes ka nisur pushtimin e Ukrainës, duke shkaktuar kështu viktima, të plagosur dhe mijëra persona kanë ikur nga vendi për në shtetet fqinje, përcjell Demokracia.com.

Deri më tani, sipas ministrit të Forcave të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, 450 ushtarë rusë dhe 194 ukrainas, përfshirë 57 civilë, janë vrarë që nga fillimi i pushtimit të Vladimir Putinit.

Ky është një numër më i lartë i vdekjeve civile sesa raportet e 25 viktimave të cituara nga këshilli i të drejtave të OKB-së./Demokracia.com/

Të ngjashme