Lajme
“Çnjohja” e Kosovës nga Komuna e Zetës, anulohet seanca
Demokracia
15:11 | 11 Qershor 2023

Share:

Seanca e komunës së Zetës në Mal të Zi ku në rend dite pritej të ishte deklarata për tërheqjen e njohjes së Kosovës, nuk do mbahet këtë të diele, meqë nuk ka kuorum, shkruan mediumi malazez, Vijesti.

Gjatë muajit maj, Fronti Demokratik pro-rus, i cili ka pushtet absolut në Zetë, komuna më e re në Mal të Zi, pati marr një vendim për miratimin e një Deklarate, me të cilën, siç thanë ata, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor.

Por, ministri për të Drejtat e Njeriut i Malit të Zi, Fatmir Xheka, pati thënë për Albanain Post se deklarata e Komunës së Zetës në Mal Zi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor u pritë me tallje

“Nuk mund të ndryshojë asgjë në qëndrimet e Qeverisë së Malit të Zi, vendime të tilla merren në nivel shtetëror dhe sa i përket Malit të Zi paralajmërimi i një vendimit të tillë u prit me tallje”, theksoi Xheka.

Mali i Zi më 24 prill votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka reaguan ashpër një pjesë e partive pro-serbe në pushtet, duke e gjykuar një politikë të tillë “të turpshme për Beogradin zyrtar”.

Ndryshe, Pavarësia e Kosovës u njoh nga Qeveria e Malit të Zi në vitin 2008, kur në pushtet ishte Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e Milo Gjukanoviçit, e cila në gusht 2020 humbi zgjedhjet nga Fronti Demokratik pro-serb dhe prorus, Demokratët dhe Lëvizja URA.

Gjukanoviç ka pësuar disfatë edhe në zgjedhjet presidenciale dhe zyrtarisht më 24 maj ia ka dorëzuar postin presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviç, i cili deklaroi se nuk do të ketë tërheqje të njohjeve të Kosovës.

Të ngjashme