Lajme
Ç’ndodh nëse Ukraina hyn në BE, dhe pse Putin po bën çmos që ta ndalojë këtë?
Demokracia
19:08 | 05 Mars 2022

Share:

Teksa trupat ruse avancojnë gjithnjë e më bindshëm drejt Kievit, Ukraina po kërkon me ngulm rrugën e shpejtë drejt Bashkimit Europian.

Edhe pse negociatat për t’iu bashkuar BE-së normalisht mund të kërkojnë dekada të tëra, rasti i Ukrainës po shqyrtohet më me imtësi nga zyrtarët europianë.

Vlen për t’u përmendur se në këtë moment, Ukraina nuk është as kandidate – edhe pse javën e shkuar presidenti Volodymyr Zelenskyy plotësoi kërkesën për procedim të shpejtë duke marrë parasysh rrethanat.

Thirrje të tilla janë bërë edhe nga Gjeorgjia dhe Kosova, të cilat ndjehen të kërcënuara nga pushtimi rus i Ukrainës dhe ambiciet e mundshme të Putin për të përfituar nga situata dhe shtrirë sferën e tij të influencës edhe përtej Ukrainës.

Cila është procedura për t’u anëtarësuar në BE?

Për t’u antarësuar në BE, një shtet duhet të kalojë me sukses 35 kapituj të cilët kanë të bëjnë me fusha nga më të ndryshmet, nga optimizimi i politikave të  jashtme për t’iu përshtatur atyre të BE-së e deri tek autonomia e gjyqsorit dhe reformat e ndryshme ekonomike dhe financiare.

Shembulli i Serbisë, tregon për një shtet i cili është pranuar si kandidat në vitin 2012 dhe në një dekadë, ka hapur 18 kapituj dhe përfunduar vetëm 2 prej tyre.

Polonia nga ana tjetër, aplikoi për t’u bërë anëtare në vitin 1994 dhe u pranua vetëm në vitin 2004.

Edhe pse në të shkuarën kemi precedentet e Suedisë dhe Finlandës, të cilat iu bashkuan Bashkimit Europian në fare pak vite – një proces i përshpejtuar mbetet teknikisht i pamundur.

Dhe lista e vendeve kandidate që presin të antarësohen fillon nga Shqipëria, Turqia, Bosnia, Mali i Zi, Serbia etj.

Sa është probabiliteti i antarësimit të Ukrainës në BE?

Për momentin gjenden 6 shtete kandidate të cilat po presin të antarësohen në BE.

Edhe pse Ukraina mund të përfitojë nga situata urgjente për të kaluar disa hapa më shpejt se vendet e tjera, sërish asaj do t’i duhej të përballje me tezat polarizuese brenda për brenda BE – ku shumë shtete lobojnë për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut ndërsa të tjera e kanë kundërshtuar ashpër këtë tezë prej vitesh.

Përpjekjet e Ukrainës ama duket se kanë pasur një efekt pozitiv.

Ditën e martë, presidentja e Komisionit Europian Urusla von der Leyen, tha para deputetëve europianë se BE do të pranonte të përshpejtonte një procedim të mundshëm të Ukrainës si kandidate e BE, shkraun Euronews.

Në të njëjtën kohë ajo tha se pasi kishte folur me presidentin Zelenskyy për këtë çështje, i kishte thënë atij se “ka ende një rrugë të gjatë përpara, ama nuk ka asnjë dyshim, se ata njerëz që luftojnë me kaq guxim për të mbrjotur vlerat europiane e kanë vendin brenda familjes europiane.”

Brukseli ka ndërmarrë disa hapa mjaft të rëndësishëm kundër Rusisë javën e shkuar, përveç sanksioneve që shënjestruan ekonominë ruse.

Mediat kryesore ruse si RT dhe Sputnik u ndaluan zyrtarisht të transmetoheshin brenda për brenda BE, ndërsa gjigandët e teknologjisë si Youtube dhe Meta – e cila përfshinë Facebook, Instagram, WhatsApp etj., – vendosën të kufizojnë dhe censurojnë materiale të postuara nga këto media në platformat e tyre.

Në të njëjtën kohë, vende të BE-së, SHBA, Britania e Madhe etj, kanë nisur të dërgojnë artileri, mjete ushtarake, naftë dhe ndihma humanitare drejt Ukrainës – e cila duket se është shëndërruar në një fushëbetejë mes Perëndimit dhe Rusisë.

Kjo është hera e parë që BE ka financuar me mbështetje ushtarake një shtet të prëfshirë në konflikt i cili nuk është pjesë e bllokut.

Në të njëjtën kohë, BE po pranon refugjatë ukrainas për të paktën 3 vite, pa i kërkuar të aplikojnë për azil.

Qindra mijëra ukrainas janë larguar tashmë nga Ukraina duke u strehuar në shtete të ndryshme të BE-së.

Sa është probabiliteti i antarësimit të Ukrainës në NATO?

Ukraina ka aplikuar edhe për t’u bërë anëtare e NATO-s por ende nuk është pranuar zyrtarisht. Sidoqoftë, Ukraina mbetet një prej partnerëve me prioritet të lartë për t’u antarësuar.

Ky lloj statusi i adresohet shteteve të cilat kanë dhënë një “kontribut të rëndësishëm ndaj misioneve dhe operacioneve të drejtuara nga NATO”.

Por, duke marrë parasysh çekulibrimin aktual të sigurisë në Ukrainë, mundësia e antarësimit në NATO mbetet e largët.

Një tjetër kusht që një vend duhet të plotësojë për t’iu bashkuar NATO-s është që ai të mos ketë “asnjë konflikt territorial të hapur e të pazgjidhur”.

Çështja bëhet sidomos më e komplikuar kur marrim parasysh faktin se për Putin, kjo do të ishte një goditje e rëndë e cila mund të shkaktonte një ‘’efekt domino’ që me shumë mundësi mund të kontribuuonte në nisjen e një konflikti mbarë-botëror që do t’i tejkalonte kufijtë e Ukrainës.

Përse Putin nuk do që Ukraina t’i bashkohet NATO-s?

Putin e kundërshton me çdo kusht zgjerimin e mëtejshëm të NATO-s drejt lindjes së Europës, sidomos nëse ky ekspansion do të përfshinte Ukrainën.

Presidenti rus e ka bërë të qartë që ai e sheh këtë aspiratë si një rrezik të drejt për drejt ndaj kufijve dhe sigursë së shtetit rus i cili do të përballej me një kufi të ri mjaft më të zgjeruar për të mbrojtur në rast lufte.

Në të njëjtën kohë, nëse Ukraina pranohet në NATO, Putin rrezikon të humbë përgjithmonë kontrollin mbi Krimenë pasi përballë ushtrisë europiane, ai do të ishte i pazoti ta mbronte atë.

Aktualisht, Rusia rrethohet nga 5 shtete antëare të NATO-s dhe anëtare të ish-Bashkimit Sovjetik si Letonia, Estonia dhe Lituania.

Para nisjes së konfliktit në Ukrainë, Putin parashtroi 3 kërkesa, një prej të cilave ishte ndalimi i çdo lloj ekspansioni të mëtejshëm të NATO-s dhe mospranimi i asnjë vendi tjetër si anëtar.

Kërkesat e tjera përfshinin tërheqjen e trupave të NATO-s nga Europa lindore drejt kufjive të vitit 1997 që përfundojnë në Gjermaninë perëndimore si dhe çmilitarizimin dhe kthimin e Ukrainës në një shtet neutral, i cili sipas Putin, nuk duhet të bëhet kurrë pjesë e NATO-s.

Këto kërkesa u refuzuan me forcë nga shtetet perëndimore, gjë që u pasua nga nisja e luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022.

Të ngjashme