Lajme
Çmimet në qiell, Kurti iu flet eurodeputetëve për rritje ekonomike në Kosovë
Demokracia
10:00 | 15 Mars 2023

Share:

Ani pse s’është bërë gjë për zbutjen e çmimeve të produkteve bazë e as s’është larguar akciza në naftë, kryeministri i Kosovës ka rrekur temën e rritjes ekonomike përgjatë një takimi me eurodeputetë të Grupit të Partisë Popullore Evropian (EPP), pjesë e së cilës është edhe eurodeputeti austriak, Lukas Mandl.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti në takimin me Mandl dhe eurodeputetë të tjerë të këtij grupi politik në Parlamentin Evropian diskutoi për “rritje ekonomike” dhe “luftim të korrupsionit”, shkruan Demokracia.com.

“Bashkë me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, kryeministri Kurti i njoftoi deputetët evropianë për zhvillimet e fundit në vend, arritjet kryesore të qeverisë, e cila javën tjetër mbushë plot dy vjet, sukseset në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit, dhe për përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe ekonomikë, të evidentuara edhe në raportet ndërkombëtare. Së fundmi, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova është renditur e para në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe të të hyrave tatimore mes vitin 2020-2022, dëshmi e formalizimit të ekonomisë, mbledhjes së borxheve dhe e gatishmërisë së qytetarëve dhe bizneseve që të paguajnë tatime. Teksa është ngritur për 20 vende në dy vitet e fundit në indeksin e perceptimit të korrupsionit sipas Transparency International”, thuhet në njoftim.

Sipas ZKM-së, në takim u diskutua edhe për takimin e Ohrit me Vuçiqin, që pritet të mbahet më 18 mars.

Në njoftim tregohet se të pranishëm në takim ishin edhe Mimoza Kusari Lila, Fitore Pacolli Dalipi, Jeta Statovci, dhe Armend Muja. /Demokracia.com/

Të ngjashme