Lajme
Çmimet e importit të rrymës “u frynë” nga kompanitë licencuara prej ZRRE-së
Demokracia
18:19 | 07 Prill 2025

Share:

Kapacitetet e bllokuara dhe kostoja e lartë e transportit janë dy arsyet kryesore për rritje enorme të çmimit të importit të rrymës gjatë vitit 2024. Është e hera e parë që kostoja e transportit të rrymës ka kushtuar më shtrenjtë se çmimi real në bursë.

Buletini Ekonomik mëson se kjo ka ardhur për shkak të dështimit të bursës së përbashkët Kosovë-Shqipëri (ALPEX) dhe bllokadës së autorstradës energjetike me Serbinë.

Kjo situatë është shfrytëzuar nga tregtarët e energjisë të cilët janë të licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), të cilët në raste i kanë fryrë çmimet shumëfish më shumë se çmimi real i energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare.

Sipas të dhënave që posedon Buletini Ekonomik, krahasuar me vitin 2023 kur kostoja e rrugës tregtare energjetike arrinte vetëm 2-3 milionë euro, në vitin 2024 kjo shumë ka shënuar një rritje të jashtëzakonshme, duke arritur në 30 milionë euro. Të dhënat tregojnë se vitin e ardhshëm kjo shifër do të arrijë në 40 milionë euro. Këto kosto të majme do të mbulohen nga konsumatori kosovar përmes rritjes së tarifave të energjisë, të cilat pritet të hyjnë në fuqi në prill të këtij viti.

Kosova disponon linja transmetimi me të katër vendet fqinje – Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbinë, të cilat menaxhohen nga KOSTT-i për pjesën që i përket Kosovës. Këto linja shërbejnë për shkëmbimin dhe transferimin e energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tjera, duke mundësuar lidhjen e tregut energjetik të Kosovës me atë ndërkombëtar. Për pjesën që i përket Kosovës, këto linja menaxhohen nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT). Rëndësia e këtyre linjave është jetike, pasi ato garantojnë furnizimin e pandërprerë me energji, stabilitetin e rrjetit dhe qasjen në tregjet rajonale e më gjerë. Ndërprerjet ose kufizimet në këto linja ndikojnë drejtpërdrejtë në koston dhe furnizimin me energji për konsumatorët.

Sipas të dhënave që posedon Buletini Ekonomik, problemet janë përshkallëzuar më tej pas krijimit të bursës energjetike ALPEX, një iniciativë e përbashkët e KOSTT-it dhe OST-së së Shqipërisë. Dy linjat e interkoneksionit Kosovë-Shqipëri (400 kV dhe 220 kV) janë vënë ekskluzivisht në shërbim të ALPEX-it, duke bllokuar plotësisht qasjen e Kosovës për kalimin e energjisë jashtë kësaj berze. Si rezultat, lidhjet e Kosovës përmes Shqipërisë drejt tregjeve italiane, greke, maqedonase dhe malazeze janë mbyllur plotësisht. Aktualisht, Kosova ka qasje vetëm në dy linja transmetimi: përmes Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.

Ky reduktim drastik, nga gjashtë linja në vetëm dy, ka ngarkuar ndjeshëm kapacitetet ekzistuese, duke rritur koston e përdorimit të rrugëve tregtare nga 2-3 milionë euro në vit, në 30 milionë me 2024 dhe rreziku është që në vitin 2025, kostoja e transportit të shkojë në 40 milionë euro.

Sipas informatave që ka sigruar Buletini Ekonomik nga persona të afërt me procesin, kufizimi i qasjes së Kosovës vetëm në dy linja transmetimi nuk duket të jetë thjesht një çështje teknike, por një vendim i dyshimtë që ka rritur fitimet e tregtarëve të energjisë të licencuar nga ZRRE-ja. Në një rast, përmes një kompanie të licencuar nga ZRRE-ja, kostoja vetëm e transportit ka shkuar deri në 300 euro për megavatë, pa llogaritur këtu koston e çmimit të rrymës në bursë.

Njohës të afërt me këtë proces i kanë thënë Buletinit Ekonomik, se është hera e parë që ofrohen këto çmime për transport të energjisë, dhe kjo sipas tyre lidhet direkt me fitimet e tregtarëve të licencuar nga ZRRE-ja.

Transporti i energjisë, më i shtrenjtë se vetë importi

Sipas të dhënave që posedon Buletinit Ekonomik, Kosova gjatë vitit 2024 ka paguar deri në 400 euro për transportin e çdo megavati të energjisë. Pra, kostoja e transportit tejkalon shumëfish çmimin e vetë importit të energjisë. Paradoksi qëndron në faktin se linjat Kosovë-Shqipëri nuk po përdoren fare, për shkak të politikave të KOSTT-it dhe qeverisë, të cilat dyshohet se i kanë vënë këto linja ekskluzivisht në shërbim të tregtarëve të energjisë.

Zyrtarët e ZRRE-se nuk janë përgjigjur në pyetjet e Buletinit Ekonomik, lidhur me atë se si është e mundur që transporti i energjisë ka kushtuar shumëfish më shumë se çmimi i vetë importit të energjisë. “Bursa me ALPEX ka qenë funksionale, kemi importu, por këto të dhëna nuk i kam për momentin. Ua përcjellim me email”, ka thënë Petrit Pepaj, zyrtar në ZRRE, kur është pyetur rreth kësaj çështje.

Por jozyrtarisht, ata kanë pranuar se në një rast çmimi i megavatit ka qenë 150 euro, kurse i transportit – 300 euro. Sa i përket ALPEX-it, jozyrtarisht zyrtarët e ZRRE-së kanë pranuar se në momentet kur konsumi ishte në kohën e pikut, nga ALPEX kanë pasur në dispozicion vetëm 60 megavatë, ndonëse kapaciteti i “autostradës energjetike” me Shqipërinë shkon mbi 600 megavatë.

“Kam përshtypjen se ata (ALPEX) e kanë shitur energjinë në Greqi, kjo ka qenë njëra nga bllokadat”, ka thënë jozyrtaisht njëri nga zyrtarët e ZRRE-së, gjatë konferencës me gazetarë.

E bllokuar vazhdon të jetë edhe linja ndërkombëtare e transmetimit me Serbinë. Sa i përket kësaj, as Qeveria e Kosovës dhe as KOSTT nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për të përdorur të drejtën e tyre në kuadër të ENTSO, duke detyruar Serbinë të zhbllokojë trasetë ndërkombëtare.

Në këtë kaos, tregtarët e energjisë janë përfituesit kryesorë. Sipas parashikimeve, vetëm këtë vit dhe vitin e ardhshëm ata pritet të fitojnë deri në 70 milionë euro shtesë në kurriz të qytetarëve të Kosovës.

Nga ZRRE nuk janë përgjigjur qartë nëse kanë parashtruar ankesë në ENTSO për lejimin e qasjes së plotë Kosovës në linjat ndërkombëtare të transmetimit. Me rritjen e pandalshme të kostove të importit dhe transportit të energjisë, qytetarët e Kosovës jo vetëm që do të përballen me tarifa më të larta edhe në vitin e ardhshëm, por edhe me një mungesë të dukshme të transparencës dhe llogaridhënies nga institucionet përgjegjëse. 

Të ngjashme