Lajme
“Çlirimtarit” të Shtimes ia uzurpojnë pronën publike përkrahësit e LVV-së
Demokracia
15:12 | 07 Prill 2022

Share:

Një pronë publike në rrugën “Tahir Sinani” në Komunën e Shtimes është uzurpuar nga përkrahësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Milaim Seferi, i cili njihet për afërsi me kryetarin aktual të komunës Qemajl Aliun.

Në atë tokë, e cila është pronë publike janë ndërtuar dy shtëpi luksoze dhe tani po ndërtohet edhe muri i rrethues.

Komuna e Qemajl Aliu nuk ka marrë ende asnjë vendim për rrënimin e saj, shkruan Demokracia.com.

Për këtë rast është dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com edhe Mehdi Berisha, Inspektori i Pylltarisë nga Drejtoria Qendrore e Inspektoratit të Pylltarisë dhe Gjuetisë.

Berisha ka thënë se me rastin janë duke u marrë inspektorët komunalë.

“Me këtë rast jemi marrë në fillim edhe e kemi thirr policinë dhe inspektorët komunalë për ndërtimin. Janë zyrtarët e pylltarisë në nivel të komunës dhe ata kanë bërë fletëparaqitje dhe kallëzim penal ndaj personit në fjalë, i cili ka bërë ndërtim dhe ka uzurpuar. Inspektorët komunalë dhe komuna i dinë të gjitha”, ka thënë Berisha për Demokracia.com.

Ndërsa, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë për Demokracia.com se janë ndaluar punimet për ndërtimin e këtij muri.

Aliu ka thënë se ndërtuesit i është dhënë një afat kohor për legalizim.

Ai ka mohuar se Seferi është aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Atij i është ndërpre e drejta për të vazhduar punimet dhe është në proces. Inspektorati është duke u marrë me procedurat edhe ai është ne procedurë si ndërtim pa leje. Sipas ligjit, atij i është dhënë një afat për legalizim, për marrje të lejes dhe deri në atë kohë nuk ka të drejtë të ndërtojë, kështu më ka informuar Inspektorati. Inspektorati i ka marrë të gjitha masat për ta ndërprerë këtë ndërtim pa leje dhe në të kundërtën pasojnë mekanizmat tjerë ligjorë. Inspektorati e ka ndjek me shumë kujdes këtë proces edhe nuk ka lidhje kush është personi, para ligjit janë të barabartë të gjithë. Personi në fjalë nuk është aktivist i Lëvizjes, se njeri nga aktivistet tanë e ka mbiemrin Seferi s’do të thotë se ai është aktivist”, ka thënë Aliu për Demokracia.com.

Përkundër që Aliu deklaroi se punimet janë ndaluar, Demokracia.com ka siguruar fotografi nga vendi ku ishin duke u zhvilluar punimet, të cilat janë bërë para rreth 1 jave.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me pronarin e kësaj shtëpie, Milaim Seferin, i cili e ka pranuar se nuk ka leje as për ndërtimin e shtëpisë dhe as të murit, i cili tani është në ndërtim e sipër.

“Ajo shtëpi është ndërtuar para katër vitesh, tash është t’u u ndërtu një mur mbrojtës. Jo, nuk kam leje, pse? 300 shtëpi aty janë ndertu pa leje, ju po me lypni leje. Jo, nuk kam leje, edhe çka është në pyetje, unë se di çka është në pyetje”, ka thënë ai përmes telefonit.

Ndërkohë, Demokracia.com mëson se Seferi është i afërt me kryetarin e Shtimes, Qemajl Aliun.

Ai është parë shpesh nën shoqërimin e Aliut, sidomos gjatë fushatës parazgjedhore.

Për këtë, Demokracia.com ka siguruar edhe fotografi ku ata shihen bashkë.

Komuna e Shtimes ende është pa Drejtor të Shërbimeve Publike dhe Inspektoratit, ndonëse kanë kaluar 4 muaj që nga marrja e mandatit nga Qemajl Aliu.

Për dy shtëpitë e ndërtuara aty pa leje ishte dënuar me një vit burg edhe një inspektor i Komunës së Shtimes.

Sipas shkresave të çështjes, i dënuari gjatë vitit 2017 dhe 2018 si person zyrtar-Inspektor i Ndërtimtarisë në Komunën e Shtimes nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare në pajtim me Ligjin mbi Ndërtimin nr.04/L-110, meqenëse nuk i kishte ndërmarrë veprimet ligjore për ta ndalur ndërtimin pa leje të dy shtëpive, pronar i të cilave ishte H. Sh. dhe se gjatë inspektimit të punimeve ndërtimore në muajin shtator 2017 nuk kishte hartuar fare procesverbal për të konstatuar ndërtimin pa leje dhe nuk kishte urdhëruar ndërprerjen e punimeve, por kishte bërë marrëveshje të kundërligjshme me pronarin e shtëpisë. /Demokracia.com/

Të ngjashme