I mbyllur në një nga dhomat e Qendrës së Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë, Kadri Veseli mori sot lajmin e trishtueshëm se nëna e tij nuk jeton më.
Nënë Ajshja vdiq sot në moshën 93 vjeçare, pa mundur ta shoh të birin për herën e fundit. Ajo i mbylli sytë përgjithmonë, teksa i biri po mbahet në paraburgim në Gjykatën Speciale në Hagë, duke u gjykuar për luftën që i solli lirinë Kosovës.
E lodhur dhe në mungesë të të birit, ajo u largua mëngjesin e sotëm nga kjo botë, shkruan Demokracia.com.
Njëri nga themeluesit e UÇK-së muaj më parë humbi edhe babanë, të cilin po ashtu s’mundi ta shihte as në frymën e fundit, shkruan Demokracia.com.
Ende nuk dihet nëse ish-kreu i Kuvendit dhe njëri prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta ketë mundësinë që t’ia hedh një grusht dheu mbi varr, nënës që i qëndroi pranë çdo herë atij dhe bashkëluftëtarëve, edhe në kohët më të errëta për popullin shqiptar.
Madje, Veseli nuk ishte i pranishëm as në varrimin e babait të tij, shkruan Demokracia.
Takimin e fundit me babanë, Kadri Veseli e pati në Spitalin e Mitrovicës disa muaj para se i ati të vdiste.
Me të arritur në Kosovë, Veseli kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë policinë e EULEX-it.
Herën tjetër, Kadri Veseli erdhi për t’i pritur njerëzit për ngushëllime, për t’u kthyer më pas sërish në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë.
Fazli e Ajshe Veseli nga të gjithë miqtë e bashkëluftëtarët e Kadri Veselit u vlerësua se ishin dy nga mbështetësit e tij më të mëdhenj në rrugën e lirisë.
Ata kanë pritur e përcjellë në shtëpinë e tyre shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Babai Fazliu edhe ishte arrestuar nga policia serbe për veprimtarinë e të birit.
Ishte 3 gushti i vitit 1993 kur forcat serbe kishin hyrë me forcë në shtëpinë e Fazliut për bastisje. Atëbotë, në shtëpi kishin qenë Fazliu me dy djemtë, Ismeti dhe Veseli. Të tre këta ishin arrestuar nga forcat serbe.
Siç raportohej atëherë, policia serbe po e kërkonte Kadri Veselin, i cili nuk gjendej në shtëpi.
Në prani të anëtarëve të familjes, policët serbë kishin rrahur Fazli Veselin dhe dy djemtë e tij, Ismetin dhe Veselin.
Arrestimi kishte ndodhur befasishëm, andaj një kohë të gjatë nuk dihej asgjë për fatin e tyre.
E para vdekjes, babai i Kadri Veselit kishte treguar se çfarë fliste me djalin e tij më të vogël gjatë kohës kur ai kishte vendosur t’i përkushtohej luftës kundër Serbisë dhe të përgatitej strategjikisht për përballjen e përgjakshme që dukej e pashmangshme.
“I kam thanë ‘bre bir, i keni nis do sene që është zor me u dalë në krye’. ‘Hajt babë mos kij ti gajle’, qet fjalë ma ka përmend”, tregonte Fazli Veseli.
Ai kujtonte edhe kohën gjatë viteve të ’90-ta, kur autoritetet serbe e kërkonin djalin e tij, Kadriun.
“Vallahi drejt me thanë janë ardh, po unë nuk u kam dhanë fort… ma së pari qyqan nuk jam kanë kurrë. Iu kam thanë ai është në shkollë, unë në shkollë e kam çu, veç me u shkollu e me ditë diçka”, tregonte ai.
Fazli Veseli ndjehej krenar për të birin dhe e bënte të lumtur fakti se mundi ta shijonte lirinë e t’i shihte në krye të shtetit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Mirë që na bani Zoti nasip, po i shohim djemtë tanë, po na udhëheqin djemtë tanë, ma mirë çka do tjetër?”, thoshte babai i Kadri Veselit./Demokracia.com/