Lajme
“Çlirimtari” në marrëveshje të fshehtë me partinë e Elbert Krasniqit riktheu shumicën në Kuvendin Komunal të Shtimes
Demokracia
09:33 | 18 Nëntor 2023

Share:

Kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu, ka bërë një emërim të ri për udhëheqjen e Drejtorisë së Shëndetësisë së kësaj komune, e cila ishte pa drejtor pothuajse disa muuaj. Pas një marrëveshje të fshehtë me ministrin Elbert Krasniqi, me të cilën ka arritur ta rikthejë shumicën në Kuvendin Komunal të Shtimes, Aliu ka emëruar drejtor Muharrem Asllanin nga Fushë Kosova, i cili vjen nga radhët komunitetit egjiptas.

Asllani, i cili ka shërbyer më herët si këshilltar politik në kabinetin e ministrit Elbert Krasniqi, tani nga Fushë Kosova ka marrë përgjegjësi për menaxhimin dhe koordinimin e shërbimeve shëndetësore në Shtime. Ky ndryshim vjen në një kohë kur nevojat për inovacion dhe përmirësim në sistemin shëndetësor janë shumë të rëndësishme, shkruan Demokracia.com.

Ky zhvillim ka ndodhur si pasojë e Adem Ramadanit nga Reçaku, i cili ishte dorëhequr nga Kuvendi Shtimes dhe me këtë rrotacion, tani Ramadani është emëruar si këshilltar politik tek Elbert Krasniqi.

Kjo lëvizje, sipas informacioneve, është rezultat i një marrëveshjeje politike midis Qemajl Aliut dhe Elbert Krasniqit, e cila përfshin zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal, Adnan Ademit.

Ndërrimi i posteve është realizuar direkt nga Qemajl Aliu dhe Elbert Krasniqi me qëllim që të mundësohet zgjedhja e Adnan Ademit në pozitën e kryesuesit të Kuvendit, shkruan Demokracia.com.

Por, vetë Adem Ramadani i kontaktuar nga Demokracia.com e ka mohuar se është ¨bërë një shkëmbim i tillë”.

“Po, jam emëruar këshilltar i ministrit Elbert Krasniqi, jam këshilltar për asamblenë komunale. Unë kam dhënë dorëheqje, jam emëru atje. Nuk ka kurrfarë pazari”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Demokracia.com nuk ka arritur të kontaktojë me drejtorin e ri të shëndetësisë, megjithatë në Shtime po përflitet që një javë, që ”çlirimtari” i Shtimes, Qemajl Aliu, përmes një marrëveshje të fshehtë me ministrin minoritar Elbert Krasniqi, ka arritur ta kthejë shumicën në Kuvendin Komunal të Shtimes dhe ta rizgjedh kryesuesin e tij. /Demokracia.com/

Të ngjashme