Lajme
“Çlirimtari” i Shtimes po e rrezikon organizimin përkujtimor për 24-vjetorin e Masakrës së Reçakut, përfaqësuesit e OVL UÇK-së duan t’i heqin si folës
Demokracia
08:47 | 14 Janar 2023

Share:

Komuna e Shtimes e udhëhequr nga “çlirimtari” Qemajl Aliu është kah bën selektime politike në organizimin për përkujtimin e 24-vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Demokracia.com ka mësuar se tashmë janë thelluar pakënaqësitë mes veteranëve të UÇK-së dhe komunës si organizatore, pasi që qeverisja e Vetëvendosjes në Shtime po i jep konotacion politik edhe këtij organizimi, duke i hequr nga lista si folës përfaqësuesit e luftës.

“E kemi pasur një takim, i cili nuk ka shkuar aspak mirë. Tani në mëngjes e kemi edhe një takim tjetër, ku pjesë e tij do të jenë edhe dy këshilltarë të Kurtit. I kanë hequr si folës nga listat përfaqësuesit tanë. Kryetarit të fshatit po ia kërkojnë edhe fjalimin për konfirmim, sepse po duan ta kontrollojnë dhe censurojnë fjalën e lirë”, ka thënë një përfaqësues i veteranëve të Shtimes për Demokracia.com.

Sipas tij, në këtë 24-vjetor do të flasin vetëm presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ambasadori William Walker dhe ka mundësi që as kryetari i fshatit Reçak nuk flet.

“Veteranët janë të revoltuar dhe po diskutohet edhe bojkotimi i agjendës zyrtare”, ka thënë ai.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë dhe u masakruan barbarisht afër 50 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit, Reçaku ishte zgjuar i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 06:30, forcat serbe me artileri të rëndë kishin filluar ta bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe ishin futur në fshat dhe kishin filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore, duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar, pasi që kjo masakër shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës arriti në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës rezultoi me ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë. /Demokracia.com/

Të ngjashme