Duke nënvizuar faktin se në Kosovë ende nuk ka një qeveri të formuar as tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Clark ka potencuar se “ka shqetësime serioze për të ardhmen” e vendit.
Wesley Clark, ish – komandant suprem i forcave të bashkuara të NATO-s për Evropën, ka vlerësuar se Kosova është një “pikë e nxehtë” që mund të shpërthejë në momentin më të papërshtatshëm.
Në një panel diskutimi në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i cili po organizohet në Dayton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ish-gjenerali amerikan, i cili gjatë luftës së fundit në Kosovë, komandoi “Operacionin Forcat Aleate”, duke nënvizuar faktin se në Kosovë ende nuk ka një qeveri të formuar as tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka potencuar se “ka shqetësime serioze për të ardhmen” e vendit.
“Gjatë procesit të Dejtonit, ne nuk arritëm ta bindnim Millosheviçin të trajtonte çështjen e Kosovës; ai e trajtoi atë më vonë, por e bëri përmes forcave të tij ushtarake dhe policisë speciale. Kështu që kjo ndarje mes Serbisë dhe Kosovës mbetet ende e hapur edhe sot. Nuk ka një qeveri të formuar në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit, dhe ka shqetësime serioze për të ardhmen. Prandaj, nuk është vetëm Bosnja dhe mbetjet e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 për të cilat duhet të shqetësohemi — në anën tjetër të Serbisë ndodhet Kosova, dhe ajo po pret si një pikë e nxehtë që mund të shpërthejë në momentin më të papërshtatshëm”, deklaroi ai.