Lajme
Çka po ndodh me Albin Kurtin? Vuçiqin i gatshëm ta takojë çdoherë, por jo edhe sindikatat
Demokracia
16:08 | 05 Shtator 2022

Share:

Gjithmonë është deklaruar si një majtist, por me të ardhur në pushtet, rrënjësisht ka ndryshuar edhe qëndrimi i Albin Kurtit.

Nëpër çdo paraqitje të tij gjatë kohës sa ishte në opozitë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte deklaruar se qytetarët, mësimdhënësit, mjekët e punëtorët e administratës, do të trajtohen me prioritet gjatë qeverisjes së tij.

Ishte vetë Albin Kurti, ai që në vazhdimësi e kishte kundërshtuar dialogun me Serbinë. Madje, e kishte quajtur edhe si një proces të dëmshëm për Kosovën, duke e kundërshtuar pothuajse secilën marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Demokracia.com.

Albin Kurti, i cili gjatë kohës sa ishte në opozitë kishte deklaruar se asnjëherë nuk do të ulet në një tavolinë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Por, me të ardhur në pushtet, Kurti u takua me Vuçiqin pa asnjë kusht.

Deri më tash, Kurti ka ndërruar pothuajse çdo qëndrim të tij që prej kohës kur është zgjedhur kryeministër.

Në korrik të këtij viti, kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takua me sekretarin Antony Blinken, kishte deklaruar se është i gatshëm të takohej në çdo kohë me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtoj për në Bruksel për takimin e radhës dhe një takim i tillë ishte në plan që të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt, pasi Beogradi zyrtar e refuzoi atë dhe kërkoi një shtyrje mbi njëmujore… Ndonëse po bëhen gati katër muaj që i kanë mbajtur zgjedhjet, sërish shkaktojnë vonesa të paarsyeshme që kanë të bëjnë thjesht me faktin që përkundër kërkesave të ShBA-së dhe BE-së, ata nuk dëshirojnë që të distancohen nga presidenti despotik Putin, nga Kremlini zyrtar dhe nga lufta që e shkaktoi kundër Ukrainës. Pra, nuk duan që t’i vënë sanksione Moskës, andaj nuk e konstituojnë Kuvendin, nuk e formojnë Qeverinë”, kishte deklaruar Kurti në një intervistë për Zërin e Amerikës në fund të muajit korrik.

Përderisa Kurti u shpreh i gatshëm që të takohej kurdo me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pa asnjë kusht, ai nuk është i gatshëm që takohet me sindikalistët kosovarë.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), kishte marrë vendim që të hyjë në grevë që nga 25 gushti dhe në vazhdimësi janë duke kërkuar përmirësimin e kushteve për punëtorët e sektorit publik.

Por, që nga 25 gushti kur edhe ka filluar greva e përgjithshme, kryeministri Albin Kurti nuk është takuar me asnjë përfaqësues të sindikatave, pavarësisht se sindikatat kanë kërkuar dialog në mënyrë që të gjendet një zgjidhje, shkruan Demokracia.com.

Po ashtu, Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë në vazhdimësi i përkrahte protestat e sindikatave dhe për më tepër i përkrahte edhe ato në Shqipëri, duke thënë se protestat e mësimdhënësve janë si pasojë e keqmenaxhimit dhe keqqeverisjes, duke u zotuar se me të ardhur në pushtet mësimdhënësit dhe mjekët do të trajtohen me prioritet dhe do të kenë pagë të dinjitetshme, shkruan tutje Demokracia.com.

Megjithatë edhe këtë premtim, Kurti nuk e mbajti. Ai madje as nuk takoi asnjë grevistë dhe ata u kërcënuan me ndalje të pagave nga Qeveria e tij.

Vetëm sot më 5 shtator, që është afati i fundit kur shteti duhet t’i ekzekutojë pagat e punonjësve të sektorit publik, Qeveria e Kosovës i ekzekutoi pagat e muajit gusht, por që Ministria e Financave përmes një njoftimi ka “kërcënuar” punonjësit, duke iu kërkuar komunave që t’i dorëzojnë listat e punëtorëve të tyre, në të kundërtën do t’i dërgojnë auditorët që të merren me këtë çështje.

Qasja e Kurtit ndaj grevistëve e në veçanti ndaj mësimdhënësve dhe kërcënimi që ua ka bërë atyre është kritikuar mjaft shumë nga shoqëria civile dhe nga partitë opozitare. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Dorëzohen Kurti dhe Murati, ua ekzekutojnë pagat grevistëve

Të ngjashme