Lajme
Çka përmban Strategjia e Mbrojtjes që u miratua sot në Qeveri?
Demokracia
18:59 | 18 Shkurt 2021

Share:

Qeveria në detyrë, në mbledhjen e sotme, e ka miratuar Strategjinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës.

Gjenerali në Ministrinë e Mbrojtjes Gëzim Hazrolli, ka treguar më shumë detaje se çka përmban kjo strategji.

“Është një dokument shumë i rëndësishëm që ka marrë goxha kohë që të punohet. Grupi punues ka qenë i përbërë prej të gjitha institucioneve relevante të sigurisë. Në kuadër të kësaj kemi analizuar thellësisht kërcënimet dhe rreziqet që i kanosen Kosovës dhe mbi bazën e asaj kemi hartuar një dokument që i përgjigjet të gjitha sfidave në parandalimin e këtyre kërcënimeve dhe rreziqeve, por edhe në luftimin e tyre”.

“Dokumenti është i përbërë nga pesë kapituj: mjedisi i sigurisë ku përshkruhet mjedisi global, rajonal dhe në Kosovë, politikat e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë që janë të bazuara mbi vlerat dhe interesat shtetërore, sistemi i mbrojtjes në Kosovë si kapitull i tretë që tregon se si organizohet sistemi i mbrojtjes në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë, zhvillimi dhe modernizimi i aftësive dhe kapaciteteve të mbrojtjes, si dhe kapitulli i fundit përshkruan burimet dhe buxhetin që duhet të ndahet për zhvillimin dhe modernizimin e këtyre kapaciteteve për luftimin e kërcënimeve dhe rreziqeve”.

Por, cilat janë kërcënimet prioritare për Kosovën sipas kësaj strategjie?

“Ne e dimë që Kosova nuk është më në gjendjen siç ka qenë më herët. Është qëndrueshmëri stabile sa i përket kërcënimeve të mëdha. Kërcënimet si qasja e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës ku kjo e fundit qëndron në preambulën e Kushtetutës së Serbisë si pjesë e tyre. Ne kemi renditur sipas prioriteteve edhe kërcënimet e tjera që janë: teorizmi, radikalizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm, ndërhyrjet e jashtme, sulmet kibernetike, paqëndrueshmëria dhe stabiliteti i përgjithshëm, krimi i organizuar, korrupsioni, trafikimi, fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera – që të gjitha kërkojnë një kapacitet të mjaftueshëm për t’u ballafaquar me to nëse vijnë”.

Gjeneral Hazrolli ka thënë se Kosova duhet të rrisë kapacitetet në mënyrë që të ballafaqohet me çfarëdo sfide që mund ta ketë në të ardhmen,

“Ne jemi një shtet i ri që jemi duke tentuar të ofrojmë frymë stabiliteti në rajon dhe përkundër disbalancit të forcave në rajon, ne jemi duke punuar në drejtimin që të krijojmë kapacitete të mjaftueshme dhe të nevojshme që të sigurojmë popullatën dhe ta ruajmë sovranitetin e territorit të Kosovës. Ne duhet të jemi syçelë dhe të punojmë për të rritur kapacitetet tona dhe të jemi gjithmonë të gatshëm që të ballafaqohemi me sfidat e të ardhmes”, tha Hazrolli në Klan Kosova.

Të ngjashme