Lajme
Çka përmban dokumenti për ristrukturimin e Qeverisë së Malit të Zi?
Demokracia
22:00 | 19 Gusht 2022

Share:

Pas katër orësh pauzë, në seancën ku po diskutohet për rrëzimin e Qeverisë, kryeministri malazez, Dritan Abazoviq, doli me një ofertë për ristrukturimin e qeverisë së tij.

Nëntë deputetë të Lëvizjes Ura dhe Partisë Socialiste popullore të Malit të Zi kanë nënshkruar iniciativën për ristrukturimin e ekzekutivit.

Kjo iniciativë, e cila erdhi gjatë seancës ku po diskutohet mocioni për votimin e mosbesimit të Qeverisë së Dritan Abazoviqit, përmbanë parimet mbi të cilat duhet të bazohet qeveria e re, dhe u bën thirrje të gjitha partive parlamentare t’i bashkohen iniciativës, përveç atyre që kanë iniciuar mosbesimin ndaj saj.

Referuar dokumentit të nënshkruar nga nëntë deputetë, i cili është publikuar nga vet Abazoviq, bisedat për ristrukturimin e ekzekutivit malazez do të nisin pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Malit të Zi.

Parimet e iniciativës për ristrukturimin e Qeverisë së Malit te Zi:

1. Qeveria dhe shumica parlamentare do të forcojnë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet.

2. Qeveria dhe shumica parlamentare do të zbatojnë reformën zgjedhore dhe do të bëjnë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur.

3. Qeveria do të intensifikojë reformat ekonomike me qëllim përmirësimin e standardit të jetesës së popullsisë dhe drejtimin e fokusit politik të saj kryesisht drejt temave socio-ekonomike.

4. Qasje e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së zgjedhjes së Këshillit Gjyqësor, anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorit të Lartë të Shtetit dhe fillimin e një dialogu intensiv me opozitën parlamentare për këto çështje me qëllim të krijimit të konsensusit sa më të gjerë.

5. Qeveria mbetet maksimalisht e përkushtuar për ruajtjen e kursit të politikës së jashtme, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal, si dhe përafrimin e plotë të politikës së jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, duke respektuar të gjitha detyrimet dhe kontratat e marra ndërkombëtarisht.

6. Qeveria dhe shumica parlamentare shprehin gatishmërinë për të vendosur një moratorium për të gjitha çështjet identitare që përçajnë shoqërinë ose për të cilat nuk është e mundur të arrihet një konsensus më i gjerë shoqëror në këtë kohë, deri në zgjedhjet parlamentare.

Oferta e Abazoviqit u pranua nga Fronti Demokratik, por u refuzua nga Demokratët

Oferta për ristrukturimin e Qeverisë iu ofrua grupeve opozitare: Fronti Demokratik, Demokratët dhe partitë e pakicave kombëtare.

Oferta e Abazoviqit u pranua nga Fronti Demokratik, por u refuzua nga Demokratët.

Deputeti i demokratëve, Momo Koprivica, e quajti atë “pamflet” me nëntë deputetë.

Ndërsa njëri nga liderët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, ka bërë të ditur se deputetët e këtij grupi janë të gatshëm që menjëherë të nënshkruajnë ofertën e Abazoviqit.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Fronti Demokratik pro-serb, Demokratët dhe lëvizja URA e Abazoviqit fituan shumicën.

Iniciativa për rrëzimin e Qeverisë, e prezantuar nga Partia Demokratike Socialiste e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, dhe një pjesë e partive në tjera, është shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Abazoviqit për nënshkrimin e Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.

Paraprakisht, pas katër orë e gjysmë diskutimi për rrëzimin e Qeverisë së kryeministrit, Dritan Abazoviq, me kërkesë të Frontit Demokratik (FD) deputetët shkuan në pushim. Tani ata janë kthyer në seacë.

Paraprakisht, është zhvilluar një debat mes deputetëve dhe kryeministrit.

Në fjalën e tij hyrëse, deputeti i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijell Zhivkoviq, tha se Qeveria e Abazoviqit ka braktisur agjendën evropiane dhe ka humbur një mundësi historike, “sepse kryeministri përmbushi detyrimet e tjera dhe pranoi të shantazhohet”.

“Në vend të kryeministrit evropian, jeni bërë ish-kryeministër. Mali i Zi, pas Qeverisë së ekspertëve dhe pakicës, nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje ku do të zgjidhet një qeveri legjitime”, tha Zhivkoviq.

Abazoviq iu kundërpërgjigj Zhivkoviqit, duke thënë se nuk është e vërtetë që DPS-ja e ka paraqitur iniciativën për rrëzimin e tij për shkak të mungesës së progresit të shtetit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe prandaj e dorëzuat. Mos u fshihni pas evropianizmit”, tha Abazoviq.

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024