Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq të martën në Bruksel do të diskutojnë për të gjetur pajtim në atë se çfarë nënkuptojnë palët me Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe dhe çfarë me Vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë.
Përbëjnë këto të njëjtën gjë, apo njëri është proces i shkëputur nga tjetri, përkundër se të dyja derivojnë nga dialogu në Bruksel? Si do të rregullohet njëra problematikë, si tjetra, apo të dyja duhet të kenë një zgjidhje të përbashkët?
Këto janë disa nga çështjet që do t’i diskutojnë kryeministri i Kosovës dhe Presidenti i Serbisë në takimin e parë të nivelit të lartë në Bruksel që nga ai i 18 marsit në Ohër, kur u arrit njëfarë akordi për aneksin implementues të Marrëveshjes për Rrugën Drejt Normalizimit të Marrëdhënieve të pajtuar me 27 shkurt.
“Kosova dhe Serbia fillojnë procesin e negocimit mbi atë se çfarë është Asociacioni dhe Vetëmenaxhimi dhe çfarë nuk është Asociacioni dhe Vetë menaxhimi. Nesër fillon dhe mbaron diku në shtator, tetor”, i ka thënë Albanian Post-it një burim i afërt me procesin dialogus në Bruksel.
Përtej këtyre, të martën gjithashtu Kurti njoftohet me statutin e Asociacionit të hartuar nga grupi punës i përbërë nga serbët të Kosovës dhe i udhëhequr nga deputetja e partisë së Vuçiq-it, Danijela Vujiçiq.
Ajo, me vendim të qeverisë në vitin 2020, u caktua kryesuese, kurse anëtarë të tjerë të ekipit ishin caktuar Jelena Beloviq, Igor Kalamar dhe Dejan Radojkoviq, që të gjithë serbë nga Kosova, shkruan Albanianpost.
Albin Kurti në një intervistë të publikuar këtë të hënë në mediat kroate ka deklaruar se do të jetë “i lumtur ta shoh se si do të duket statuti”, edhe pse kisthe shrpehur dëshirën që ai t’i vinte fillimisht në Prishtinë, para takimit – gjë që nuk u bë.
Dihet gjithashtu që grupi i serbëve që me vendim qeveritar janë të autorizuar ta punojnë statutin, nuk i janë përgjigjur asnjëherë qeverisë së Kosovës.
Nga ajo se çfarë prezanton draft-statuti për Asociacionin aktualisht, ai është një dokument i papranueshëm për palën kosovare, kanë bërë të ditura burime të afërta me procesin për Albanian Post.
“Me siguri se do të refuzohet si version nga Kurti”, ka thënë burimi dhe ky refuzim është i pritshëm edhe nga ndërmjetësuesi.
Hapat e mëtejmë do të jenë gjetja e një pajtimi për statutin në kuadër të pajtimit të përgjithshëm për Asociacionin dhe Vetëmenaxhimin.