Lajme
Çka deklaruan para Gjykatës të dyshuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika?
Demokracia
08:38 | 23 Prill 2025

Share:

Janë bërë të ditura deklarata e të dyshuarve për vrasjen e policit Muhamed Lika.

Haki Bela dyshohet të jetë njëri nga kryesorët e grupit. Ai është vëllai i të miturit që dyshohet se ka shtënë në drejtim të Likës. Ai e ka mohuar përfshirjen në rast.

“Personalisht e përshëndet familjen e viktimës Muhamet Lika, ndjen keqardhje për rastin që ka ndodhur por shton se mund të ndodh diçka mes familjes së tij dhe familjes së të ndjerit. Shton se është plotësisht i pafajshëm në lidhje me këtë çështje penale dhe i vetmi fakt është që ai e ka lokalin në afërsi të vendit të ngjarjes dhe atë rreth 200 metra distancë, po ashtu shton se shtëpia ku ai banon me stacionin policor në Kaçanik i kanë rreth 100 metra distancë dhe se ai e frekuenton çdo ditë atë rrugë”- është shprehur në seancën e sotme (22.04.2025) i pandehuri Bela sipas dosjes së Gjykatës të siguruar nga KALLXO.com.

Një tjetër i pandehur është edhe Diamant Gashi, 21-vjeçar. Edhe ky ngjashëm si Bela ka mohuar të jetë i involvuar në këtë ngjarje.

“Në ditën kritike ka qenë në shtëpi, nuk ka kryer asnjë nga veprimet të cilat u cekën në kërkesën për caktimin e masës nga ana e Prokurorisë. Pra ndihet tërësisht i pafajshëm dhe shton se lajmin për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika e ka marrë nga ana e prindit të tij dhe atë në mëngjes të ditës së nesërme”- është deklaruar në Gjykatë në seancën për caktimin e masës së sigurisë Diamant Gashi.

Rilind Murati, 21-vjeçar, i cili për një vit shërbeu si pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës e më pas me kërkesë të tij u bë edhe demobilizimi i tij nga ky institucion ushtarak, ka mohuar të jetë përfshirë në rast.

“E mbështet deklarimin e avokatit të tij mbrojtës. Nuk kam tjetër çka të deklaroj përpos që është plotësisht i pafajshëm dhe nuk është i involvuar në këtë çështje penale”- citohet Murati sipas dosjes së Gjykatës.

Para gjyqtares së procedurës paraprake, Fitore Daci, Çaka ka thënë se kishte shkuar në vendin e ngjarjes nga kureshtja pasi kishte marrë vesh se një veteran i UÇK-së ishte vrarë.

“I mbështet deklarimet e avokatit të tij mbrojtës, tjetër nuk ka çka të deklarojë, shton se nuk është absolutisht i involvuar në këtë çështje penale. Natën kritike pasi që ka dëgjuar alarme të shumta të Policisë ka shkuar në vend ngjarje vetëm nga kureshtja për të parë se çfarë ka ndodhur aty, pasi që paraprakisht nga rrjetet sociale e ka kuptuar që bëhet fjalë për një viktimë, veteran i UÇK-së, gjithashtu shton faktin se këtë e ka bërë sepse e ka prindin veteran të UÇK-së dhe i njëjti ende vuan nga pasojat e traumave të luftës dhe absolutisht në asnjë mënyrë nuk ka mundur t’ia bëjë një gjë të tillë një ish- veterani të luftës së UÇK-së”- është deklarimi i 19-vjeçarit siç përshkruhet në dosje.

Edhe Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka mohuan përfshirjen në rast.

Të ngjashme