Lajme
Civilët ukrainas të evakuuar nga fabrika Azovstal dërgohen në një fshat në lindje të Mariupolit
Demokracia
15:29 | 01 Maj 2022

Share:

Më herët gjatë ditës është raportuar nga ministria ruse e mbrojtjes e cila tha se 46 civilë u evakuuan dje nga zonat e banuara përreth fabrikës Azovstal, pjesa e fundit e qytetit të Mariupolit të kontrolluar nga forcat ukrainase.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, në deklaratë thuhej se ata ishin dërguar në fshatin Bezimenne, në lindje të Mariupol në rajonin e Donetsk.

Në anën tjetër, ushtarët ukrainas kanë thënë se deri më tani vetëm 20 persona janë larguar nga fabrika e çelikut.

Tani Reuters po raporton se një grup prej rreth 40 personash, të cilët kanë ardhur nga zona afër Azovstal, kanë mbërritur në një qendër strehimi të përkohshëm në Benzimenne.

Imazhet nga agjencia e lajmeve tregojnë një grup që përfshin burra, gra dhe një fëmijë që mbërrijnë me autobus.

Ndërkohë, një pjesë e madhe e njerëzve vazhdojnë të mbesin të bllokuar pranë fabrikës Azovstal.

Këshilli Bashkiak i Mariupolit ka njoftuar se do të jetë i mundur sot evakuimi i civilëve nga qyteti i rrethuar.

Kjo mund të sinjalizojë një përparim në operacionin për të çliruar më shumë se 1,000 njerëz nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal, pjesa e fundit e qytetit jugor ende në duart e trupave ukrainase.

Të ngjashme