Lajme
Çitaku: Vota jonë do të jetë e njëjtë për Albulena Haxhiun
Demokracia
22:55 | 24 Prill 2025

Share:

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka komentuar situatën politike të krijuar në Kuvendin e Kosovës pas dështimit të tri herë radhazi të votimit për Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit.

Çitaku ka thënë se deputetët e PDK-së do të jenë të pranishëm në seancën e radhës dhe do të votojnë kundër kandidaturës së Haxhiut, por theksoi se përgjegjësia për zhbllokimin e situatës bie mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

“Do të jemi aty, do të votojmë. Vota jonë për kandidaten zonjën Haxhiu është kundër… jo për shkak të insinuatave që zonja është munduar t’i plasojë. Por zoti Kurti e ka në dorën e tij të zhbllokojë situatën në Kuvend.

Së pari në politike, në sistemin parlamentar, në të cilin ne jetojmë, marrëveshjet politike janë instrumente të domosdoshme… i ka dhënë ofertë konkrete zoti Haradinaj t’i ndërroj kandidaturat, madje i ka ofruar emrat.

Ne nuk do të lejojmë që të detyrohemi të votojmë me zor, se nuk mund të votojmë me zor. S’mund të merret apo të jepet me zor diçka në demokraci. Ne do të jemi aty të përgjegjshëm. Po shpresojmë që VV-ja të reflektojë, ta kuptojë që parlamenti është më i madh se egoja e kryetarit të partisë të tyre, zotit Kurti. Kosova është më e madhe se egoja e kryetarit të VV-së”, ka thënë Çitaku në Debat Plus.

Të ngjashme