Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, në konferencën e Mynihut u sillën korridoreve për të shtrënguar ndonjë dorë.
Reagimi i Çitaku vjen pasi as Osmani e as Kurti nuk u takuan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Në statusin e saj në Facebook, Çitaku ka thënë se dikur në takimet e rëndësishme me SHBA-në, Kosova ishte palë dhe tani sipas saj, është temë.
Postimi i plotë:
Dikur, në takime të rëndësishme ku ishte SHBA-ja, Kosova ishte palë, e jo temë. Sot, palë është Serbia e temë Kosova, ndërsa krerët e institucioneve tona, sillen korridoreve për të shtrënguar simbolikisht ndonjë dorë, sikur të ishin turistë të interesuar për fotografi e jo përfaqësues të një shteti që i duhet përkrahja e SHBA-së.
Me liderët e sotëm të institucioneve, jo vetëm që s’janë hapur dyer të reja, por kanë filluar të mbyllën edhe dyert që Kosova i kishte të hapura.