Seanca e konstituimit të Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër.
Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës do të tentojë nesër për herë të tetë që të zgjedh kryeparlamentarin e ri të këtij instituicioni.
Emri i Albulena Haxhiut në shtatë votimet e mëparshme ka marrë votat e njëjta.
Nga 61 vota të nevojshme për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu ka arritur të marrë besimin e 57 deputetëve duke dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
E i njëjti skenar pritet të përsëritet edhe nesër, pasi partia e dytë më e madhe PDK nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj për Albulena Haxhiun, teksa LVV ka dhënë sinjale që ajo do të jetë sërish
propozimi i tyre.
Për lajmi.net, Vlora Çitaku konfirmoi se PDK nuk ka vota për Albulena Haxhiun.
“Asgjë s’ka ndryshuar. Ndryshimi duhet të vijë nga LVV jo nga ne, ata kërkojnë vota tjera, kështu që ka një ofertë të hapur nga AAK se ka emra që mund t’i votojë. Është në dorën e Vetëvendosjes që të zhbllokojë situatën. Me kandidatin e njëjtë qëndrimi ynë mbetet i njëjtë”, tha fillimisht nënkryetarja e PDK-së.
Tutje ajo shtoi se nuk ka pasur asnjë tentim nga ana e LVV për t’u dakorduar për konsensus politik.
“Jo asnjë tentativë nuk ka pasur”, përfundoi Çitaku.
Seanca e Kuvendit pritet të fillojë nesër nga ora 10:00.