Lajme
Çitaku: E ardhmja jonë s’guxon të rrezikohet për një grusht vota, Kosova s’i takon një njeriu
Demokracia
09:43 | 14 Qershor 2023

Share:

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në veri dhe raportimeve për mundësi të sanksionimit të Kosovës nga ndërkombetarët.

Në një status në Facebook ajo ka shkruar se nuk po kontestohet shtetësia e Kosovës por e ardhmja euroatlenatike e saj.

“Kosova është shtet. I pavarur dhe sovran. Kjo e vërtetë e farkëtuar dhe e pakthyeshme nuk po kontestohet nga aleatët tanë. Kuptojeni. Çfarë është vënë në pikëpyetje është e ardhmja euroatlantike e vendit tonë. Çfarë Kosove duam ne për fëmijët tanë? Të izoluar apo të integruar në BE dhe NATO? Kualiteti i aleancave dhe mirëmbajtja e tyre është po aq e rëndësishme sa edhe sovraniteti”, ka shkruar Çitaku.

Sipas saj “e ardhmja e Kosovës nuk guxon të rrezikohet për një grusht vota”. “Kosova nuk i takon një njeriu”, ka shkruar Çitaku.

Kujtojmë se mbrëmë kur kishin mbetur edhe disa orë para mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, kryeministri shqiptar Edi Rama doli në një konferencë të jashtëzakonshme.

Orët e fundit kur Qeveria e Kosovës tashmë ishte afër përgatitjeve të fundit për këtë takim, Rama dha lajmin se e ka anuluar këtë mbledhje.

Tha se për këtë gjë e ka informuar edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe se arsyet lidhen me përplasjen e Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.

Qeveria e Kosovës reagoi duke e quajtur këtë veprim të njëanshëm.

Të ngjashme