Lajme
Cili shtet ka më shumë armë bërthamore? Nëntë vende i zotërojnë, SHBA e dyta
Demokracia
15:25 | 25 Qershor 2023

Share:

Armët bërthamore kanë qenë gjithnjë problem i madh në shoqërinë botërore dhe prej përdorimit të parë të tyre në Hiroshima dhe Nagasaki, gjërat kanë ndryshuar drastikisht.

Edhe pse pala amerikane ka qenë ajo, e cila i ka përdorur ato, nuk radhitet gjithsesi si e para për numër të predhave bërthamore që zotëron.

Është Rusia, ajo e cila e ka këtë pozitë, duke pasur 5 mijë e 899 raketa, të cilat në kokat e tyre mbajnë ngarkesën bërthamore.

SHBA-të ndërkaq ndjekin me 5 mijë e 244.

Të dy shtetet, janë gjithsesi shumë larg shtatë ndjekësve të tjerë, të cilët të gjithë së bashku, nuk arrijnë të bëjnë as një të tretën e ngarkesës që ka një nga dy vendet e para.

Kështu, Kina plotëson podiumin me 410 raketa bërthamore dhe Franca me Britaninë e Madhe ndjekin respektivisht me 290 dhe 225, shkruan AP.

Ndër shtetet me zotërim të predhave të tilla është edhe Pakistani, ku pavarësisht se nuk shquhet për nivele të larta ekonomike, bie në sy për potencialin ushtarak. 170 predha të tilla i zotëron ky shtet.

India më pas ndjek me 164 raketa, Izraeli me 90 dhe Koreja e Veriut, është vendi që mbyll nëntëshen me 30 predha.

Megjithatë, ka edhe shtete, të cilat nuk zotërojnë armë bërthamore, por i ruajnë të tillat, si pjesë e aleancave.

Turqia ka 35 të tilla, Italia 20, dhe Belgjika, Gjermania e Holanda me nga 15.

Armë bërthamore së fundmi dyshohet se janë pritur edhe nga Bjellorusia, të ardhura prej Moskës, si presion për luftën që po zhvillohet në Ukrainë.

Pavarësisht kësaj, nuk është e ditur ende sa raketa të tilla mund të kenë shkuar në Bjellorusi, nëse kanë shkuar.

Të ngjashme