OpEd
Cili është objektivi i Perëndimit në Ukrainë?
Demokracia
12:36 | 27 Mars 2022

Share:

Nga Michael Ignatieff “Project Syndicate”

Ne e dimë se çfarë do presidenti rus Vladimir Putin në Ukrainë:ta fshijë këtë vend nga harta. Po ashtu e dimë se çfarë dëshiron presidenti ukrainas Volodimir Zelenski:ta mbajë Ukrainën gjallë si një shtet demokratik. Pyetja është se çfarë dëshiron Perëndimi. Cili është synimi i tij strategjik?

Deri më tani, objektivat e Perëndimit janë strukturuar mbi një objektiv negativ:të shmangë përfshirjen në një luftë kundër Rusinë, por duke bërë ende gjithçka që ka në dorë për të ndihmuar ukrainasit. Kjo do të thotë t’i thuash jo Zelenskit kur ai kërkon një “zonë të ndalim-fluturimit” të garantuar nga NATO. Por strategjia e luftës e Perëndimit, nuk mund të ndërtohet mbi atë që ai nuk do të bëjë. NATO dhe aleatët e saj duhet të përcaktojnë një objektiv pozitiv.

Në fillim të pushtimit, kur shumë analistë dhe ekspertë parashikuan një fitore të shpejtë të rusëve, Perëndimi kishte luksin t’i përmbahej virtyteve të veta, duke e përgëzuar Zelenskin dhe qeverinë e tij për guximin e treguar, ndërsa përgatitej fshehurazi për t’i evakuuar në një shtet tjetër.

Zelenski e refuzoi ofertën, dhe tani që ukrainasit po tregojnë se çfarë mund të bëjnë, NATO i furnizon me raketa antitank dhe anti-ajrore, dhe po ndan me komandantët ukrainas të dhënat e shërbimeve sekrete ushtarake. Perëndimi ka hyrë në një luftë që po zhvillohet përmes një pale të tretë, dhe në luftëra të tilla, është kjo e fundit ajo që i përcakton objektivat.

Kur pala e tretë ose përfaqësuese e angazhuar në konflikt paraqitet mirë në frontin e betejës, është joshëse të fillojmë të parashikojmë objektiva më ambiciozë, nga detyrimi i kundërshtarit që të bllokohet në një ngërç poshtërues, deri tek ndryshimi i regjimit. Megjithatë, kjo ngre rrezikun e arrogancës strategjike.

Ne rrezikojmë të harrojmë faktin se rusët kanë një përvojë të gjatë me durimin e vështirësive ekonomike. Ata mund të përballojnë një masë të madhe sanksionesh ekonomike, përpara se të ngrihen kundër regjimit. Është gjithashtu një sjellje arrogante të parashikosh se rrethi i brendshëm i Putinit do të ngrihet dhe do ta rrëzojë atë nga froni.

Është shumë herët për të arritur në përfundimin se Putini po e humb luftën. Ai ka nisur tashmë të përdorë taktika më shkatërruese dhe efektive, me shkatërrimin e tmerrshëm të Mariupolit dhe Harkivit, që tregon atë që mund ta presë më vonë Kievin.

As Perëndimi dhe as përfaqësuesi i tij në këtë luftë, Ukraina, nuk janë në pozitën për ta shpallur ndryshimin e regjimit në Moskë si një qëllim strategjik, pasi kjo do të rrezikonte të provokonte Putinin të ndjekë një përshkallëzim edhe më të dhunshëm dhe të rrezikshëm të luftës.

Perëndimi e ka uruar vetveten për ashpërsinë e regjimit të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë javët e fundit, por sanksionet janë armë që godasin që të dyja palët. Çdo udhëheqës perëndimor e di se çmimet më të larta të naftës dhe benzinës, do të sjellin probleme politike në shtëpi, sidomos në një vit zgjedhor.

Në rast se Perëndimi i redukton më tej importet ruse të energjisë, apo nëse rusët e mbyllin vetë rubinetin, do të kemi një recesion apo edhe një krizë të rëndë ekonomike. Udhëheqësit perëndimorë mund të jenë të shqetësuar për ndikimin e mundshëm afatgjatë ekonomik të sanksioneve, shkruan CNA.

Por ata e dinë ndërkohë se fokusimi mbi ekonomitë e tyre – dhe rrjedhimisht mbi të ardhmen e tyre politike – në kurriz të ukrainasve, do të dukej i turpshëm, dhe jo vetëm në sytë e ukrainasve. Në një kohë kur lufta e ka zemëruar elektoratin perëndimor në një shkallë të paprecedentë, shpëtimi i ekonomive perëndimore duke sakrifikuar ukrainasit është një politikë e dobët dhe strategji e keqe.

Nëse mund të parandalohet ende një fitore e Rusisë, Perëndimit do t’i duhet që të shtojë ndihmën e tij për ushtrinë ukrainase, për ta detyruar Putinin të bllokohet në një ngërç të përgjakshëm, që do të pasohej nga një zgjidhje e negociuar, e cila lë të paktën të paprekur një pjesë të Ukrainës dhe nën kontrollin e qeverisë së Zelenskit.

Edhe këtu, Perëndimi duhet të mendojë për më të keqen, dhe jo të shpresojë për më të mirën. Më e keqja do të ishte rënia e qeverisë së Zelenskit, pas një rrethimi dhe bombardimi të gjatë të Kievit. Furnizimi i ukrainasve me armë kundërajrore, anti-raketë dhe anti-artileri, është thelbësore për ta çarë rrethimin.

Por nëse as këto nuk do të arrijnë t’i sprapsin rusët, Perëndimit do t’i duhet të vendosë nëse mund të qëndrojë mënjanë teksa bombardohet pallati presidencial ukrainas dhe rrëzohet një qeveri e zgjedhur në mënyrë demokratike. Rënia e qeverisë së Zelenskit do t’i jepte Putinit fitoren për të cilën ai ka aq shumë nevojë.

Ajo do t’i jepte mundësinë ta zhdukte Ukrainën si një shtet sovran, dhe të fillonte rusifikimin e një populli të sapo pushtuar. Ky skenar i besueshëm duhet t’u japë udhëheqësve perëndimorë një qartësi strategjike dhe morale. Objektivi strategjik i Perëndimit në këtë luftë, duhet të jetë ruajtja e qeverisë së Zelenskit.

Duke e shpëtuar qeverinë, Perëndimi mund të shpëtojë edhe Ukrainën. Çdo përpjekje e rusëve për të rrëzuar qeverinë e Zelenskit duhet të jetë “vija e kuqe” e Perëndimit: momenti në të cilin ai i dërgon një mesazh Putinit se nëse nuk ndalet, do të kundërpërgjigjet me forcë.

Udhëheqësit politikë perëndimorë kanë shansin të vendosin mbi këtë mesazh strategjik në samitin e NATO-s që mbahet këtë javë në Bruksel. Nëse ata do të munden të arrijnë në një konsensus, atëherë do të jetë në dorën e udhëheqjes ushtarake të aleancës që të hartojë plane taktike për t’ua përçuar rusëve këtë mesazh me zë të lartë dhe të qartë.

Shënim:Michael Ignatieff, është profesor i historisë në Universitetin e Evropës Qendrore.

Të ngjashme