Besimtarët myslimanë në të gjithë botën sot festojnë Fitër Bajramin. Kjo festë shënon fundin e agjërimit të muajit të Ramazanit. Zakonisht, dita fillon me faljen e namazit të Bajramit e kjo është edhe ngjarja kryesore, për të vazhduar më pas edhe me aktivitete të tjera.
Drejtori i Diasporës në Bashkësisë Islame të Kosovës, Ekrem Simnica, për Demokracia.com, thotë se Fitër Bajrami festohet pasi që nga besimtarët mysliman është kryer një nga kushtet e fesë islame, siç është agjërimi i muajit të Ramazanit.
Simnica tregoi po ashtu edhe domethënien e termit “fitër”, nga i cili edhe e ka marrë emrin, kjo festë.
“Nocioni “fitër” e ka kuptimin “kthim në natyrshmëri”, kthim në regjimin e ushqimit etj. si zakonisht që e kemi gjatë njëmbëdhjetë muajve tjerë. E, meqë kjo ditë është ditë feste, atëherë është e udhës që telashet e pikëllimet të lihen anash, kurse gëzimi e hareja duhet të dominojë në ambientet myslimane”, tregoi Simnica.
Simnica tregon po ashtu edhe historikun e Fitër Bajramit. Ai tregon se me shkuarjen e pejgamberit Muhamed nga Meka në Medine, kur edhe e ka bë hixhretin (shpërnguljen), i ka gjetur vendasit e Medinës, të cilët kanë qenë duke i festuar disa festa disa ditë.
“Në kohën që Pejgamberi erdhi në Medinë, njerëzit argëtoheshin dy ditë. Ai pyeti: Çfarë janë këto ditë që po festoni? Ata iu përgjigjën se në kohën e injorancës argëtoheshin gjatë atyre dy ditëve. Pas kësaj Pejgamberi deklaroi: “Pa dyshim se Allahu ato festa i ka ndryshuar me dy festa më të mira dhe më të vlefshme, e ato janë: Kurban Bajrami dhe Fitër Bajrami. Këto festa ndërlidhen me dy adhurime, ndërlidhen me dy kushte të Islamit [agjërimi i Ramazanit dhe shkuarja në Haxh], prej pesë kushteve. Në përfundim të tyre shprehet gëzimi, që ne arritëm të i kryejmë këto dy adhurimeve. Në këtë rast, Fiter Bajrami ndërlidhet me përfundimin e një prej kushteve të islamit që është agjërimi i muajit të Ramazanit dhe kërkohet sa më shumë shfaqja e gëzimit, e haresë në familjet tona dhe zgjimi herët i faljes së namazit të bajramit”, tha Simnica për Demokracia.com.
Miliona myslimanë në të gjithë botën janë duke e festuar festën e Fitër Bajramit.
Theksojmë se Bajrami i Madh, siç njihet zakonisht, është një nga festat më të mëdha në kalendarin mysliman./Demokracia.com/