Lajme
Cilësimi i sulmit të Hamasit si ‘aksion ushtarak’ nga Universiteti i Columbia-s shkakton zemërim
Demokracia
23:41 | 30 Tetor 2023

Share:

Një letër e hapur e nënshkruar nga rreth 130 anëtarë në Universitetin e Columbia-s, e cila përshkruan sulmin vdekjeprurës të Hamasit si një “aksion ushtarak”, ka shkaktuar zemërim.

Letra, e iniciuar nga Katherine Franke, një profesoreshë e drejtësisë, shpreh solidaritetin me studentët në universitet, të cilët janë akuzuar për antisemitizëm për sugjerimin se veprimet e Hamasit janë një formë legjitime e rezistencës ndaj “kolonializmit të kolonëve”.

“Ne shkruajmë për të shprehur shqetësime të mëdha rreth asaj se si disa nga studentët janë duke u shënjestruar në mënyrë të egër me tallje, turpërim publik, mbikëqyrje nga anëtarët e komunitetit, duke përfshirë studentë të tjerë, dhe hakmarrje nga punëdhënësit”, thuhet në letër.

Sakaq, vihet në dukje se disa nga studentët që janë vënë në shënjestër kanë nënshkruar një deklaratë “që e vendosi aksionin ushtarak të nisur më 7 tetor brenda kontekstit më të gjerë të pushtimit të Palestinës nga Izraeli”.

“Vlen të përmendet se jo të gjithë jemi dakord me secilin prej pretendimeve të bëra në deklaratën e studentëve, por jemi dakord që bërja e pretendimeve të tilla nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet antisemitike”, thuhet në letër.

Deklarata e studentëve në fjalë, e cila u iniciua nga grupi pro-palestinez i kampusit, thoshte se:

“Pesha e përgjegjësisë për luftën dhe viktimat i takon qeverisë ekstremiste izraelite dhe qeverive të tjera perëndimore, përfshirë qeverinë e SHBA-ve, e cila financon dhe mbështet me vendosmëri agresionin izraelit, aparteidin dhe kolonizimin e kolonëve”.

Në letrën e hapur, anëtarët e fakultetit shkruan se “deklarata e studentëve synon të rikontekstualizojë ngjarjet e 7 tetorit 2023, duke vënë në dukje se operacionet ushtarake dhe dhuna shtetërore nuk filluan atë ditë, por përkundrazi, përfaqëson një përgjigje ushtarake nga një popull që kishte duruar dhunën dërrmuese dhe të pandërprerë shtetërore nga një fuqi pushtuese për shumë vite.”

Politologu Yascha Mounk nga Universiteti Johns Hopkins, ka thënë se nuk ishte antisemitike të kritikosh qeverinë izraelite, ta vendosësh konfliktin në kontekstin historik ose të vajtosh vdekjen e civilëve palestinezë.

“Por nëse ju e përshkruani masakrën e 1 mijë e 400 civilëve si aksion ushtarak ose bëni thirrje për një armëpushim pa përmendur fëmijët e vegjël që janë ende në kthetrat e një organizate terroriste, njerëzit me të drejtë do të pyesin pse nuk duket se jepni asgjë për jetët e hebrenjve të pafajshëm”.

Marrë nga “Haaretz”, përshtatur për “Albanian Post”.

Të ngjashme