Lajme
Cilat janë procedurat për të punuar në Gjermani? – Rregullorja për Ballkanin Perëndimor ndryshon në qershor
Demokracia
13:25 | 16 Janar 2024

Share:

Që nga 18 tetori, në Gjermani ka hyrë në fuqi një ligj që lehtëson emigrimin e punëtorëve të huaj. Elementi më i rëndësishëm i ligjit të ri do të jetë ‘Karta e Mundësive’, e cila bazohet në një sistem ardhje në Gjermani në varësi nga pikët. Kjo pjesë e ligjit futet në fuqi në qershor të këtij viti, dhe parashikon një leje qëndrimi njëvjeçare me mundësi zgjatjeje. Gjatë kësaj kohe, mbajtësit e kartës mund të kërkojnë një punë. Kushtet për marrjen e saj janë: niveli akademik, diplomat, njohja e gjuhës gjermane ose angleze, përvojë pune dhe lidhje personale me Gjermaninë.

Nga tetori është futur në fuqi pjesa e ligjit për ‘Kartën Blu’, sipas së cilës punëtorët e huaj të kualifikuar do të duhet të kenë një pagë bruto minimale prej rreth 43.800 euro në vit për të marrë atë. Azilkërkuesit që kanë hyrë në vend para datës 29 mars 2023 dhe kanë kualifikime dhe një ofertë pune – do të mund të aplikojnë për leje qëndrimi si punëtor i kualifikuar, nëse tërheqin kërkesën e tyre për azil. Deri më tani ata fillimisht duhej të largoheshin nga vendi dhe më pas të aplikonin për vizë pune nga jashtë. Kushdo që vjen në Gjermani si profesionist i kualifikuar nga një vend jashtë BE-së mund të sjellë bashkëshortin, fëmijët dhe prindërit e tij. Megjithatë, parakusht është që të sigurohet ekzistenca e familjes. Prindërit nuk mund të aplikojnë për ndihmë sociale.

Rregullorja ekzistuese për punëtorët e kualifikuar me arsim të lartë, siç është Karta blu e BE-së është lehtësuar për marrjen. Lista sipas së cilës mund të merret Karta blu është zgjeruar. Ndërsa më parë ishin në këtë listë pak a shumë vetëm profesionet nga matematika, shkenca kompjuterike, profesionet e inxhinierisë dhe mjekësia, tani ajo vlen edhe për farmacistët, edukatorët, kujdestarët dhe shumë profesione të tjera. Nëse punëdhënësit në Gjermani dhe kandidatët nga vendet jashtë BE-së hyjnë në një të ashtuquajtur ‘kontratë për njohjen e kualifikimeve’, punëtorët e huaj do të mund të vijnë dhe të punojnë në Gjermani nga marsi i vitit 2024, ndërkohë që procesi i njohjes së kualifikimeve vazhdon. Pra mund të vijnë pa njohjen e diplomave, ndërsa këtë duhet ta bëjnë pas ardhjes. Nëse duan të sjellin bashkëshortët ose fëmijët e mitur, punëtorët e kualifikuar duhet të dëshmojnë se mund t’i mbështesin vetë, por nuk duhet të dëshmojnë më se kanë hapësirë të caktuar për strehim.

Ndërsa, rregullorja për punëtorët nga Ballkani Perëndimor, për punësimin e punëtorëve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ndryshojë në qershor. Ajo nuk do të ketë më afat të caktuar vlefshmërie. Nga qershori 2024, kuota vjetore do të dyfishohet në 50.000 punëtorë. Në të ardhmen, dëbimet nuk do të njoftohen më paraprakisht dhe kohëzgjatja maksimale e ndalimit për personat që dëbohen do të zgjatet nga dhjetë në 28 ditë. Policisë do t’i jepen kompetenca më të gjera kur të kontrollojë shtëpitë e refugjatëve. Procedurat e aplikimit për azil në gjykatat administrative në Gjermani zgjasin mesatarisht 26.6 muaj. Në të ardhmen, kjo duhet të përshpejtohet ndjeshëm. Deri më tani, azilkërkuesit kishin të drejtën e një kompensimi të veçantë për refugjatët, dhe pas 18 muajsh të drejtën e ndihmës sociale, që është një shumë më e lartë. Në të ardhmen edhe këto rregulla do të ndryshojnë dhe afatet do të shkurtohen. Përveç kësaj, në vend të pagesës së mëparshme të kompensimit në të holla, do të futen të ashtuquajturat “Socialcard” – kartë pagese me të cilën azilkërkuesit mund të blejnë vetëm ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme ditore. Qëllimi i kësaj mase është të kufizojë mundësinë e dërgimit të parave tek të afërmit në vendlindje.

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024