Lajme
Cilat janë pasojat e mundshme për Serbinë dhe Kosovën nëse nuk e respektojnë marrëveshjen?
Demokracia
17:19 | 27 Mars 2023

Share:

Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell dhe Aleksandar Vuçiq, president i Serbisë, u takuan në Ohër, më 18 mars 2023.

Në emision Most të Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe, është zhvilluar dialogu nëse Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është një pikë kthese në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Kosovës.

Sërgjan Majstoroviq, kryetar i Bordit të Drejtorëve të Qendrës për Politika Evropiane nga Beogradi, tha se statusi i dokumentit nuk është në pyetje.

“Arsyet për mosnënshkrimin e Marrëveshjes dhe Aneksit nga Vuçiq janë ekskluzivisht të natyrës së brendshme politike. Nga njëra anë, ka rezistencë nga partitë me orientim kombëtar dhe nacionalist dhe lëvizje të ndryshme formale dhe joformale, e cila është e dukshme në rrugët e Beogradit këto ditë, dhe nga ana tjetër, publiku serb nuk është i përgatitur në mënyrë adekuate për zhvillime të rëndësishme në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në vend që fokusi të jetë bashkëpunimi, që është thelbi i Marrëveshjes, në hapësirën publike dominuese flitet për vijat e kuqe që kufizojnë çdo vizion për marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Mirëpo, pavarësisht mungesës së nënshkrimeve, nuk ka dyshim se Marrëveshja e pranuar gojarisht, është ligjërisht e detyrueshme në përputhje me rregullat e përcaktuara me Konventën e Vjenës për të Drejtën Kontraktore”, tha Majstoroviq, transmeton Demokracia.com.

Enver Hasani, profesor në Fakultetin Juridik në Prishtinë dhe ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, tha se në të drejtën ndërkombëtare të kontratës nuk ka rëndësi forma por përmbajtja e kontratës.

“Dhe përmbajtja e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është e qartë dhe e pastër. Sa i përket refuzimit të Vuçiqit për të nënshkruar Marrëveshjen, arsyeja është e natyrës kushtetuese. Ai e di se për shkak të pranimit të disa dispozitave të Marrëveshjes mund të akuzohet për shkelje të Kushtetutës së Serbisë, andaj ka menduar se me refuzimin e nënshkrimit të marrëveshjes do t’i ketë duart e pastra”, ka theksuar Hasani.

Sipas tij, fakti që Vuçiq dhe Kurti tani po e relativizojnë është histori për përdorim të brendshëm për të ruajtur votat e votuesve.

“Por nga pikëpamja ndërkombëtare nuk ka asnjë rëndësi. Kur shikon obligimet e Serbisë në Marrëveshje, ajo ka vetëm një obligim – të mos bllokojë dhe pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Por jo në Kombet e Bashkuara, edhe pse Vuçiq thotë se nuk do të lejojë që Kosova të pranohet në Kombet e Bashkuara, edhe pse ndalimi i bllokimit të pranimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara nuk është fare objekt i Marrëveshjes. Ndalimi vlen për organizatat e tjera ndërkombëtare. Në fund të fundit, edhe sikur Serbia ta njihte Kosovën de jure, nuk do të mjaftonte pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara, sepse varet nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit”, tha Hasani.

Në pyetjen e Omer Karabegut se si Brukseli dhe Uashingtoni mund t’i detyrojnë Vuçiqin dhe Kurtin që ta respektojnë Marrëveshjen, nëse ka vonesa apo shmangie të obligimeve, Hasani ka vlerësuar se Komiteti i Përbashkët do të monitorojë dhe mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes.

“Nëse, le të themi, ai komision do të gjente prova se Qeveria e Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme apo vetë presidenti Vuçiq u kishte dërguar një letër disa vendeve me kërkesë për të penguar pranimin e Kosovës në disa organizata ndërkombëtare ose ndryshe do të lobonin në këtë drejtim, do të ishte një problem i madh për Serbinë. Jam i sigurt se Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione ose do të ngrijë disa fonde financiare”, tha ai.

Me të pajtohet edhe Sërgjan Majstoroviq, i cili theksoi se në atë rast vendosja e sanksioneve është e mundshme.

“Megjithatë, pyetja është nëse ka një vullnet të unifikuar brenda Bashkimit Evropian për të detyruar palët të respektojnë Marrëveshjen. Përveç kësaj, nuk mendoj se sanksionet janë të mjaftueshme. Pa një plan të qartë për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, Bashkimi nuk ka stimuj mjaft të fortë për të motivuar palët që t’i përmbahen rreptësisht zbatimit të marrëveshjes së rënë dakord. Problem i veçantë është fakti se pesë anëtarë të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin Kosovën. Këto ditë karateistët e Kosovës nuk lejohen të marrin pjesë në Kampionatin Evropian në Spanjë, sepse Spanja nuk e njeh Kosovën dhe simbolet e saj kombëtare”, ka shpjeguar Majstoroviq. /Demokracia.com/

Të ngjashme