Lajme
Cilat janë masat emergjente për furnizim me energji elektrike që u miratuan sot në Kuvend?
Demokracia
23:23 | 04 Gusht 2022

Share:

Me përplasje e debat mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar masat emergjente për furnizim me energji elektrike. Arsyetimi i qeverisë është çmimi i lartë i energjisë si dhe punimet që po bëhen në termocentralet e Kosovës.

Opozita kritikon masat emergjente, duke theksuar se nuk ndihmojnë asgjë në furnizim me energji elektrik.

Votimi

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 68 vota për e asnjë kundër, kanë votuar vendimin e Qeverisë për vendosjen e masave emergjente në furnizimin me energji elektrike, shkruan Nacionale.

Sipas Qeverisë së Kosovës, konkretisht ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, këto masa janë ndërmarrë duke pasur parasysh situatën energjetike në botë si dhe rritjen e çmimeve të energjisë elektrike në tregun evropian.

Duke e marrë parasysh situatën energjetike në vend dhe me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, qeveria propozon të shpallë masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji të vlefshme në furnizim me energji të vlefshme në një kohëzgjatje maksimale deri 60 ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Kjo për faktin se kemi një rritje të jashtëzakonshme të çmimeve në tregun evropian, e cila do të ndikojë negativisht gjatë muajve në vijim edhe në Kosovë në masën që ne detyrohemi të importojmë energji elektrike. Për më tepër, disa shtete evropiane kanë paralajmëruar ndalim të eksportit të vendeve fosile dhe gjatë muajve në vijim posaçërisht gjatë muajve të dimrit, pastaj është e pritshme që disa shtete do të ndalojnë edhe eksportin e energjisë elektrike”, ka thënë ajo të enjten në Kuvend.

Opozita me kritika

E shpallja e masave emergjente për furnizim me energji elektrike nuk kaloi pa u kritkuar nga deputetët e partive opozitare.

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se qeveria do të duhej të dorëzonte një raport për këtë çështje dhe se Qeveria duhet të tregojë pse nuk janë ndarë 90 milionë eurot për sektorin energjetik.

Mund ta mbështesim sot këtë nismë që kemi vullnet për shkak të situatës globale, por nuk mund ta mbështesim këtë pa parë vendimin e qeverisë pse i ka ende 90 milionë dhe nuk kanë shkuar në sektor. A na ka mashtruar atëherë kryeministri dhe qeveria kur i ka zotuar mjetet apo po na mashtron sot, njëra është e sigurt nëse nuk janë të dyja mashtrime. Ne do të duhej ta kishim një raport pse sektori energjetik tash e 8 muaj nuk i merr mjetet e zotuara”, ka thënë ai.

Ndërsa nga LDK-ja, deputetja e kësaj partie, Valentina Bunjaku, ka paralajmëruar se mund të ketë reduktime nëse nuk merren masa të sigurta për furnizim me energji elektrike.

Ky vendim i qeverisë nuk i ndihmon asgjë në furnizim të sigurt. Asnjë masë rekomandim në ketë vendim të qeverisë nuk flet për ndarjen e mjeteve financiare subvencione sigurim të importit, investime të energjisë alternative, por janë deklarata të thata pa asnjë impakt në terren… Ky vendim i qeverisë fatkeqësisht do të rrezikojë serish me dështim për furnizim të sigurt me energji prandaj duhet refuzuar”, ka thënë ajo.

Teksa nga AAK-ja, deputeti Pal Lekaj ka thënë se Qeveria nuk po i qaset problemeve me kohë dhe me strategji të duhur.

Kjo qeveri është mësuar të zgjedhë problemet ad-hoc pa strategji dhe pa vendimmarrje në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Cilat janë masat emergjente?

Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë:

Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet; Obligohet Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, të propozojë masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë muajve të dimrit, si dhe të monitorojë dhe sipas nevojës të lehtësojë përgatitjet e ngrohtoreve për sezonën e dimrit.

Kujtojmë që vitin e kaluar Kosova ishte ballafaquar me reduktime të energjisë elektrike për shkak të çmimit të lartë.

Të ngjashme