Lajme
CIA: Putini po blen kohë me negociata false, ai është i “burgosuri” i gabimeve të veta
Demokracia
17:56 | 12 Mars 2022

Share:

Drejtori i CIA-s, William Burns, ka thënë se Putini nuk ka kurrfarë rrugëdalje nga lufta. Sipas tij, presidenti rus po përpiqet të blejë kohë me negociata false.

Burns dhe shërbimet e tjera të larta sekrete kanë mbajtur këtë javë një seancë dëgjimore në Komitetin e Senatit për Inteligjencën. Ka qenë një shkëmbim shumë i drejtpërdrejtë pyetjesh dhe përgjigjesh, me pak rezerva.

Burns ka argumentuar se Putini është i burgosuri i vlerësimeve të tij të gabuara.

Udhëheqësi rus, sipas tij, ishte i bindur se “ka pajisur sistemin ekonomik në mënyrë që të jetë në gjendje t’i rezistojë sanksioneve perëndimore, por tani po zbulon se nuk është kështu”.

Në veçanti, thotë Burns, ai nuk kishte marrë parasysh masën e Thesarit të SHBA-së, që pengoi Bankën Qendrore të Moskës të manovronte rezervat e mëdha të monedhës së fortë (ekuivalenti i 600 miliardë dollarëve).

Sipas drejtorit të CIA-s, presidenti rus e ka mbyllur vendin e tij “në një flluskë propagande”.

“Nuk mendoj se do të mund t’i shkëputë qytetarët pafundësisht nga e vërteta. Tashmë shohim se po filtrojnë informacione për ushtarët e vdekur dhe të plagosur që po kthehen në Rusi. Dhe njerëzit kanë filluar të kuptojnë pasojat e rënda ekonomike të sanksioneve”, ka thënë ai.

Senatorja republikane Susan Collins ka pyetur më pas nëse rusët synojnë të përdorin armë kimike apo biologjike në Ukrainë.

“Ky eventualitet është pjesë e mënyrës së veprimit të rusëve. Ata tashmë kanë përdorur armë kimike kundër qytetarëve të tyre. Dhe ata kanë inkurajuar përdorimin e tyre në Siri dhe gjetkë. Ne po e marrim këtë rrezik shumë seriozisht”, ka thënë Burns, duke mos treguar nëse ka ndonjë të dhënë konkrete në fushën e betejës.

Të ngjashme