Lajme
Chollet e Escobar para Senatit: S’do të ketë Republika Sërpska, Asociacioni obligim i pashmangshëm i Kosovës
Demokracia
18:22 | 18 Maj 2023

Share:

“Nuk do të ketë Republika Sërpska në Kosovë”, kanë deklaruar të enjten në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këshilltari i lartë në Departamentin e Shtetit, Derek Chollet, dhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

I pyetur për garanci nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë s’do të kthehet në Republika Sërpska, Escobar ka thënë se ky është synimi dhe se Asociacionin SHBA-ja e sheh “si mënyrë për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e që ajo pjesë të vendoset brenda strukturës ligjore të Kosovës”.

“Në fakt ky është synimi ynë. E kemi thënë se Asociacioni është obligim i marrë nga Kosova me marrëveshjen e Brukselit. Por, e kemi përsëritur vazhdimisht se do ta ndihmojmë Kosovën që ta formojë atë sipas një modeli evropian e që nuk shkel sovranitetin apo Kushtetutën e saj apo funksionalitetin. Siç e shohim ne, Asociacioni është rrugë për katër komunat apo komuna tjera që duan t’i bashkohen, që të marrin shërbime komunale për popullatën shumicë serbe në gjuhën serbe. Ne duam të përdorim Asociacionin për të ndaluar atë që po bën Serbia në veri të Kosovës, e të vendoset ajo pjesë brenda strukturës së Kosovës, të kontrollohet nga ligjet e Kosovës. Nuk e shoh si koncesion për Serbinë, por si mënyrë që Kosova të akomodojë qytetarët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës, e që janë qytetarë të Kosovës”, ka thënë Escobar.

Ai ka shtuar se BE-ja po ofron modele evropiane, ku shtetet mund të ofrojnë shërbime në gjuhë tjera për qytetarët pakicë, por nuk futen apo shkelin kushtetutshmërinë e fqinjit.

Njëjtë ka deklaruar edhe Cholleti. Ai ka deklaruar se SHBA-ja nuk pranon dhe nuk mbështet një Republika Sërpska në Kosovë.

“Asociacioni është një marrëveshje që është bërë para 10 vjetësh. E rëndësishme është që ne duam që të gjithë qytetarët e Kosovës të marrin shërbimet e barabarta dhe t’u dëgjohet zëri dhe që serbët e veriut të jenë më pak të lidhur me Beogradin. Ne nuk do të pranojmë dhe as nuk do të mbështesim asgjë që mund të krijojë një republikë serbe. Ajo që po shikojmë është se si mund të jetë i pranueshëm Asociacioni për të dyja palët”, ka thënë Cholleti.

Këshilltari i Departamentit të Shtetit të SHBA-së ka thënë se duhet thënë vazhdimisht si Serbisë ashtu edhe Kosovës se është një mundësi që mund të mos vijë më me dekada.

“Duhet vazhduar t’u themi këtë. Dje kam folur me presidentin Vuçiq e kryeministrin Kurti, duke u përmendur rëndësinë dhe se duhet ecur bashkë drejt zbatimit. Duhet pranuar se BE-ja është angazhuar jashtëzakonisht së fundi. Kemi punuar me palët ne vazhdimisht. Por, palët duhet dëgjojnë këtë edhe nga Kongresi, të mos mendojnë se shqetësohemi vetëm ne. Nuk ka ndonjë ‘plumb magjik’ këtu. Duhet kurajë politike e rrezik për të dy liderët për të ecur para, ne duam t’u japim atë guxim”, ka thënë Chollet.

 

Të ngjashme