Lajme
Chollet bisedë telefonike me Kurtin: ShBA-ja e mbështet fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi
Demokracia
08:32 | 24 Nëntor 2022

Share:

Këshilltari Special në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet përmes një postimi në Twitter, ka bërë të ditur se ka zhvillyar një bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se e ka falënderuar Kurtin për angazhimin siç u shpreh ai konstruktiv në gjetjen e një zgjidhje, përcjell Klankosova.tv.

Chollet gjithashtu ka theksuar se ShBA-ja e mbështet fuqishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Telefonatë e mirë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. E falënderova për angazhimin konstruktiv në gjetjen e një rruge, për uljen e tensioneve dhe angazhimin për të punuar urgjentisht për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, të cilin ShBA-ja e mbështet fuqishëm”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel për targat, gjë që, sipas Departamentit të Shtetit, ndikon për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

“Ne përgëzojmë më tej marrëveshjen e dy vendeve për t’u përqendruar plotësisht dhe urgjentisht në normalizimin e marrëdhënieve nën dialogun e lehtësuar nga BE. Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga më e mirë për të avancuar të ardhmen evropiane të Serbisë dhe Kosovës”, thotë zëdhënësi i DASH-it, Ned Price, raporton Klankosova.tv.

Më tej thuhet se mirëpritet vendimi i palëve “për të vënë interesat e të gjithë njerëzve të tyre në krye të vendimmarrjes dhe të ndërmarrin hapa për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve të tyre”.

“Të dy palët bënë një hap gjigant përpara sot, me lehtësimin e BE-së, drejt garantimit të paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin. Shtetet e Bashkuara përshëndesin negociatat konstruktive dhe inkurajojnë përparimin e mëtejshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, përfundoi DASH-i.

Kujtojmë se SHBA-ja ka qenë ndër më të zëshmet nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës për arritjen e marrëveshjes, gjegjësisht për shtyrjen e masave ndëshkuese për serbët e Kosovës që bartin targa ilegale në veturat e tyre.

Të ngjashme