Te Chicago Fire e kanë parasysh se kualifikimi në garat e plejofit në MLS është mision tejet i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Megjithatë, Chicago mban shpresat te një lojtar për të siguruar pjesëmarrjen në plejof, ka shkruar të enjten “Chicago Sun Times”.
Shpresa e vetme dhe e madhe e Chicagos mbetet Xherdan Shaqiri, i cili është ribashkuar me ekipin amerikan pas grumbullimit me Përfaqësuesen e Zvicrës. Zvicra këtë muaj e luajti vetëm një ndeshje në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” dhe Shaqiri tregoi formë të mirë. Ai shënoi gol fantastik në barazimin kundër Bjellorusisë 3:3, dhe tani do të përpiqet ta ndihmojë Chicagon në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit të rregullt në MLS. Një paraqitje e mirë e Shaqirit për Chicagon do të thoshte shumë në “ditën vendimtare” për këtë skuadër, e cila po lufton ta sigurojë plejofin në xhiron e fundit të sezonit të rregullt.
“Pritjet janë të mëdha nga Shaqiri, i cili edhe një herë do të sfidohet, por në xhiron e fundit të sezonit të rregullt. Një paraqitje fantastike dhe ndonjë gol për ta fituar ndeshjen, përfundimisht do ta ndihmonin Chicagon në misionin e plejofit”, ka shkruar “Chicago Sun Times”.
Shaqiri 32-vjeçar, këtë sezon ka pasur paraqitje të mira te Chicago, ku në 33 paraqitje në të gjitha garat, ka shënuar 7 gola dhe ka regjistruar 6 asistime. Ai është pjesë e kësaj skuadre prej shkurtit të vitit të shkuar, kur iu bashkua nga Lyoni dhe ka kontratë deri në fund të vitit të ardhshëm.