Lajme
Çfarë thonë mjekët nga Kosova që morën vaksinën anti-COVID në Shqipëri?
Demokracia
12:48 | 21 Mars 2021

Share:

Nga e dita e shtunë në Kukës ka filluar vaksinimi kundër COVID-19 për mjekët e Kosovës. Vaksinimi është duke vazhduar edhe gjatë ditës së sotme.

Mjekët nga Kosova të cilët janë vaksinuar gjatë ditës së djeshme para medieve lokale thanë se janë shumë falënderues për mundësinë që i ka ofruar Shqipëria që të vaksinohen kundër COVID-19, shkruan Demokracia.com.

Shefi i urgjencë së Pejës iu rekomandon të gjithëve që të marrin vaksinë anti-COVID.

“Jemi shumë shumë falënderues. Ju rekomandoj të gjithëve që të marrin vaksinën”, tha ai.

I pyetur se a do të marrë dozën e dytë të vaksinave mjeku nga Kosova, përgjigjet pozitivisht.

“Do ta marrë edhe vaksinë e dytë dhe thotë se absolut jo (nuk kemi frikë), po të kishim frikë nuk ishim ardhë”, tha mjeku kosovar.

Edhe një mjek nga Spitali i Gjakovës, shpreh falënderim për Shqipërinë dhe ftoi të gjithë që të marrin vaksinën kundër COVID-19.

“Faleminderit shumë, faleminderit shtetit dhe mjekësisë. Patjetër i ftoj të gjithëve që të vijnë të marrin vaksinën”, tha ai.

Mjeku kosovar thotë se nuk ka frikë nga vaksina si dhe do ta marrë edhe dozën e dytë.

“Nuk kemi frikë jemi mësuar edhe me kontroll shëndetësorë. Po shumë (jam i sigurt) edhe dozën e dytë do të vijë të bëjë”, tha mjeku nga Kosova.

Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka thënë se 500 mjekë dhe infermier të Kosovës po vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës.

“500 mjekë dhe infermierë të Kosovës po vaksinohen në Kukës. Edhe sot në ditën e dytë, do të vijojë vaksinimi me stafet mjekësore të vijës së parë”, ka shkruar Manastrliu në Facebook.

Pas mbërritjes së më shumë se 38 mijë vaksinave anti-COVID nga kompania AstraZeneca në Shqipëri para disa ditëve, kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje stafit mjekësorë nga Kosova që të shkojnë dhe të vaksinohen kundër COVID-19 në Kukës.

Stafi mjekësorë u detyrua të udhëtojë për në Kukës që të vaksinohen pas që kontrata e blerjes së vaksinave nuk lejon që dozat e tyre të dalin jashtë territorit në këtë rast jashtë Shqipërisë.

Rama ka premtuar po ashtu se sapo Shqipëria të ketë doza të tjera të vaksinës do të mund të vaksinohen edhe mjekët e tjetër, mirëpo gjatë kësaj faze vaksinën mund të marrin vetëm 500 mjekë dhe infermierë nga Kosova.

Theksojmë se Kosova është shteti i vetëm në rajon që nuk ka ende asnjë dozë të vaksinës. Ditë më parë Banka Zhvillimore e Këshillit të Europës (CEB) miratoi financimin shtesë prej 25 milionë eurosh për të mbështetur Kosovën që të blejë vaksinat anti-COVD për rreth 50 për qind të popullsisë së saj.

Kredia e CEB do të mbulojë gjithashtu koston e materialeve shpenzuese që lidhen me shpërndarjen e vaksinave dhe pajisjeve mjekësore.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nga ana tjetër thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me COVAX dhe sipas tyre sasia e diskutuar është në prodhim gjatë këtij muaji.

Nga COVAX Kosova do të përfitojë 100 mijë e 800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca./Demokracia.com/

Të ngjashme