Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pëlqimi i Serbisë për hyrjen e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara janë dy pengesat më të mëdha për dialogun e mëtejshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kur është fjala për qëndrimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas Nova.rs, ai në takimin e mbajtur të hënën në Bruksel ka thënë se Asociacioni edhe nëse formohet nuk mund të jetë njëetnike dhe nuk mund ta ketë këtë emër. Kurti propozoi që të jetë Asociacioni/Unioni i komunave të pakicave. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq e hodhi poshtë këtë mundësi, transmeton Demokracia.com.
Para takimit në Bruksel, ku Prishtina dhe Beogradi duhej të jepnin fjalën përfundimtare për planin evropian për Kosovën, presidenti i Serbisë tha se mund të diskutohet vetëm kur të formohet Asociacioni.
Por, Kurti nuk e ka bërë këtë, dhe është dhënë pëlqimi për marrëveshjen. Po ashtu, në takimet e asaj dite në Bruksel, kryeministri i Kosovës ka paraqitur një sërë kushtesh të tij. Ndër të tjera, ajo se Asociacioni nuk mund të jetë monoetnike dhe nuk mund ta mbajë atë emër.
Kjo nuk është hera e parë që Kurti flet për këtë.
Në fillim të shkurtit ka paraqitur gjashtë kushte për formimin e Asociacionit dhe në atë listë ka edhe kërkesë që të mos jetë monoetnik, të ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
Për pjesën e marrëveshjes së Brukselit që parasheh formimin e Asociacionit, Kurti në disa raste ka thënë se ajo përmban “elemente raciste”, dhe se Gjykata Kushtetuese në Kosovë tashmë e ka refuzuar atë propozim.
Sipas Kurtit, zbatimi i Asociacionit është aparteid, ai përsëriti disa herë se është i papranueshëm formimi i një komuniteti në bazë monoetnike dhe kërkoi nga Beogradi që së pari të formojë komunitete të ngjashme për popullatën shqiptare në komunat në jugore të Serbisë ose të rajonit të Rashkës.
Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe këshilltare e Qeverisë së Kosovës, thotë për Nova.rs se nuk ka monoetnicitet as në komunat me shumicë serbe në Kosovë.
“Në të gjitha këto komuna njeriu i parë është serb, ndërsa nënkryetarët janë kryesisht shqiptarë. Nuk ka komunë me shumicë serbe në Kosovë, e cila është monoetnike. Për dallim nga komunat me shumicë shqiptare, në të cilat nuk ka serb jo vetëm në menaxhmentin komunal, por edhe në përbërjen e organeve shtetërore dhe policisë. Prandaj është problem i madh që serbët të kthehen në ato zona”, thotë Trajkoviq, transmeton Demokracia.com.
Ajo beson se marrëveshja e re për të cilën Beogradi dhe Prishtina ranë dakord në Bruksel, për shkak të ngritjes së vazhdueshme të tensioneve nga të dyja palët, do të çojë në një eksod të ri të serbëve nga Kosova, kështu që atëherë lind pyetja se për kë do të jetë i formuar Asociacioni në radhë të parë. /Demokracia.com/