OpEd
Çfarë takimi do të mund të ishte takimi ndërmjet Thaçit dhe Pamukut?!
Demokracia
11:29 | 02 Tetor 2024

Share:

Shkruan: Skender Berisha

Në kor me hossana, gjithologë e pisologë, madhëruan deri në delirium me tendencë për të përulur kryeministrat paraprak, një takim të një shkrimtari nobelist me një kryeministër. Ky kor, nga vetëkënaqësia bëri pyetjen fundore, finitiste, pas të cilës “mbaron historia”: Cilin kryeministër do të mund ta kishte takuar nobelisti, nëse jo Kurtin?

Nobelisti turk, Pamuk, është në mesin e 120 nobelistëve të letërsisë dhe një nga 103 burrat që i kanë fituar një milion dollar shpërblim, Hashim Thaçi është një nga të gjallët, nga disa dhjetëra që në histori do të mbahen mend se e shpalli Kosovën “shtet të pavarur e sovran”, pikërisht si Xhorxh Uashingtoni, Ismail Qemali, etj., vepër që nuk ka çmim.

Nëse z. Pamuk, do të takohej me njërin nga kryeministrat e mëhershëm të Republikës së Kosovës, për shembull me Hashim Thaçin, do të mund të takonte shkurtazi luftëtarin-kryeministër që i takon familja heroike Jashari, meritore për çmimin nobel për liri.

Ai do të mund të njihej me njeriun i cili i priu popullit të vet, nga robëria në liri, do të njihej me një personalitet i cili i priu një ushtrie e cila del të jetë më e suksesshmja gjatë shekullit të 20-të, dhe arriti të realizonte qëllimin-çlirimin e vendit.

Nobelisti Pamuk, do të mund të mësonte shkurt se si një 29 vjeçar, i priu luftës së popullit kundër okupatorit me mijëra herë më të fuqishëm.

Ai do të mund të mësonte se Kryeministri i Kosovës, edhe pse i shquar për çlirimin e vendit të vet, është i të njëjtit komb që shquhet edhe për intelektualë të njohur për të si Ahmet Bej Dukagjini, Hasan Tahsini, Sami Frashëri, Akif Ersoj, etj.

Pamuk do të takonte Kryeministrin luftëtar të trungut të cilët patën dorë në fuqizimin e Perandorisë Otomane dhe me kontribut madhor për shumë shtete në Egjipt, Greqi, Itali, Moldavi, Austro-Hungari, Rumani, Siri, Palestinë dhe shtetet tjera deri në Australi.

Nobelisti Pamuk, do të mund ta takonte liderin e një populli që për pesë shekuj të sundimit otoman, nuk e pati asnjë shkollë shqipe në trojet e shqiptare, por, megjithatë janë në themele të historisë me luftëtarë si Leka i Madh, Teuta, Pirroja, Skënderbeu e deri te Adem Jashari.

Do të mund të mësonte se si pas një shekulli e gjysmë të padrejtësive diplomatike, populli shqiptar i Kosovës u gjend në anën e duhur, me aleatët e duhur, në kohën e duhur, për qëllimin e duhur dhe arriti – lirinë, me një lider si ai Kryeministër, Hashim Thaçi, i Brojës së Drenicës.

Nobelisti Pamuk do të mund të takohej me njeriun i cili është në mesin e liderëve të paktë të gjallë që patën fatin ta shpallin pavarësinë e shtetit të vet dhe ta shohin zhvillimin e tij, nga e para njohje, deri në 117 njohje ndërkombëtare.

Sigurisht, do të ishte takim me përfitime për dyja anët, për njërin që krijoi histori dhe tjetrin që shkruan shkëlqyeshëm për të! Populli thotë, kur s’ka shi, bën edhe breshër!

Të ngjashme
OpEd • 07 Nëntor 2024