Lajme
Çfarë prona të shtetit shiti në Mal të Zi e Bosnjë kosovari që u arrestua, AKP në gjyq në të dy vendet
Demokracia
15:29 | 29 Shtator 2022

Share:

Një kosovar që kishte shitur prona të Republikës së Kosovës që gjenden në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi qe tri vjet, është arrestuar tek të hënën. Ai është kapur nga Policia në pikëkalimin kufitar në Bërnjak, derisa dje i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Por, çfarë pronash u shitën? Nga Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë dhënë detaje.

Me dokumente të rrejshme e duke u paraqitur si person i autorizuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, një kosovar me inicialet Sh.M, ka arritur që të shesë disa prona që Republika e Kosovës i ka jashtë vendit. Këto prona gjenden në Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë dhe janë nën menaxhim të AKP-së.

Pronat që i shiti kosovari janë lokale afariste, që gjenden në lokacione frekuentuese në këto shtete.

Detaje rreth tyre dhe procedurave që janë ndërmarrë për të anuluar kontratat kanë dhënë nga AKP.

“Në rastin konkret bëhet fjale për pronat; lokali afarist në Podgoricë të Malit të Zi me sipërfaqe prej 125 m2 dhe 68 m2 i ka magazine –podrum dhe 3  lokale afariste të cilat gjenden në Tuzëll, Bosnje dhe Hercegovinë”, ka thënë Veton Hajdini nga AKP.

Hajdini ka treguar se Agjencia ka inicuar procedurë pranë organeve të zbatimit të ligjit në Mal te Zi për personat shtetas te Malit te Zi të përfshirë në këto vepra penale.

Për pronën në Mal të Zi, ai ka deklaruar se me me vendimin e Ministrisë së Financave të Malit të Zi është anuluar vendimi i Drejtorisë për Kadastër dhe Pronë i Podgoricës për tjetërsimin e pronës dhe se janë në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore në  Podgoricë për anulimin e kontratës së shitblerjes.

Ndërkohë, për pronat në Bosnje e Hercegovinë ka thënë se janë në proces të ndjekjes të rrugëve ligjore për anulimin e kontratave.

“Me vendimin e Ministrisë së Financave të Malit të Zi është anuluar vendimi i Drejtorisë për Kadastër dhe Pronë i Podgoricës për tjetërsimin e pronës ne bazë të kontratës së lidhur nga palët e treta me nr. UZZ br 543/22 i datës 08/04/2022  në emër të NSh “Jatex“, Gjakovë. Aktualisht jemi në proces gjyqësore në Gjykatën Themelore në Podgoricë për anulimin e kontratës së shitblerjes. Sa i përket pronave në Bosnje Hercegovinë jemi në proces të ndjekjes së po të njëjtave veprime për anulimin e veprimeve të paligjshme. dhe ndalimin e pasojave juridike dhe ekonomike të pronës së Ndërmarrjes Shoqërore ”Jatex” me seli në Gjakovë”, ka deklaruar Hajdini për Express.

Për vlerën e këtyre pronave, Hajdini s’ka dhënë ndonjë shifër, vetëm ka thënë se ndodhen në lokacione frekuentuese.

“Agjencia konsideron se kanë një vlerë të rëndësishme, sepse gjenden në lokacione frekuentuese. Pronat në fjalë i përkasin Ndërmarrjes Shoqërore “Jatex” (ish Emin Durakut), me seli në Gjakovë”, thuhet në përgjigje.

Si u kap kosovari nga Policia dhe për çfarë veprash dyshohet?

Arrestimit të kosovarit i ka paraprirë një hetim disa mujor i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, në koordinim me Krimet Ekonomike dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, ai është kapur të hënën në pikëkalimin kufitar në Bërnjak.

“PKV Bërnjak (NN) 26.09.2022 – 09:00. Me  26.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kryer shitje  të pronave, të Republikës së Kosovës të cilat janë nën  menaxhim të Agjencisë Kosovar të Privatizimit, pronat gjenden jashtë shtetit të RKS-së në shtetin e Bosnje Hercegovinës, Malit të Zi. I njëjti duke paraqitur dokumente të rrejshme, duke përdorur nënshkrimin  si person zyrtar  i autorizuar nga AKP, për shitjen e aseteve. Të njëjtit i është bastisur shtëpia, në koordinim me prokurorin e rastit nga PTH-Prishtinë  dhe është dërguar në mbajtje”, njoftoi Policia.

Detaje të tjera për rastin ka dhënë Prokuroria Themelore e Prishtinës. Bazuar në komunikatën e Prokurorisë, Sh.M dyshohet se ka kryer veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Prezantimi i rremë si person zyrtar”.

Aty janë dhënë detaje edhe për mënyrat se si i ka shitur ai këto prona.

“Personi i lartcekur dyshohet se, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, duke paraqitur dokumente të rrejshme dhe duke përdorur nënshkrimin e personit zyrtar të AKP-së, kinse si person zyrtar i autorizuar nga kjo Agjenci, nga viti 2019 e deri në vitin 2022, ka bërë shitjen e aseteve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë dhe në Malin e Zi, ku me këto veprime i dyshuari ka kryer veprat penale të lartcekura”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Nga i dyshuari, Prokuroria ka thënë se janë sekuestruar një veturë, një telefon, para në vlerë prej 900 euro dhe prova të tjera të cilat do të shërbejnë në procedurë.

Gjykata Themelore e Prishtinës dje ka njoftuar se ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Për caktimin e kësaj mase, Gjykata ka thënë se ka marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyrat dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer dhe se me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e veprave penale, mënyra dhe rrethanat në të cilat dyshohen se janë kryer veprat penale, andaj me lënien në liri, ekziston rreziku i ikjes së të pandehurit SH.M, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia, po ashtu ekziston rreziku që i njëjti do ti asgjësojë, fsheh apo ndryshojë provat e veprës penale, ndikimit në dëshmitarë si dhe rreziku i përsëritjes së veprave penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Jo vetëm në Mal të Zi e Bosnjë, këto janë shtetet tjera ku Kosova llogarit se ka prona

Hotele, toka, ndërtesa administrative, lokale, depo, zyra e fabrikë, janë vetëm disa prej aseteve që Kosova i ka në listën e pronave të saj jashtë vendit. Këto prona gjenden në qytete të ndryshme të shteteve që ishin pjesë e Jugollavisë.

Për numrin total të pronave që ka vendi nëpër shtetet tjera, llojin e tyre dhe qytetet ku ndodhen kanë folur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Nga Zyra për Media e AKP-së i kanë thënë vjet Gazetës Express se ata kanë në evidencë 163 prona të Kosovës jashtë vendit, shumica e të cilave janë lokale dhe zyra.

Numri më i madh i tyre gjenden në Serbi dhe Mal të Zi. Shtete tjera ku ndodhen prona të tilla janë edhe Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Sllovenia.

“Sipas të dhënave që ka Agjencia Kosovare e Privatizimit, në bazë të deklarimeve të ish-menaxhmenteve të ndërmarrjeve shoqërore dhe në bazë të dokumentacionit të siguruar, AKP i ka në evidencën e saj 163 prona shoqërore që ju përkasin Ndërmarrjeve Shoqërore të ndryshme nëpër shtete të dala nga ish Jugosllavia. Prej 163 pronave shoqërore jashtë vendit shumica janë lokale dhe zyra”, kanë deklaruar nga AKP-ja.

Nga ky institucion thonë se në vazhdimësi zhvillojnë procedura administrative dhe gjyqësore në këto shtete për këto prona. I vetmi vend ku pamundësohen procedurat e tilla është Serbia, meqenëse AKP-ja pengohet që të ketë qasje ligjore në dokumentacion.

“Me përjashtim të Republikës së Serbisë, shtet në të cilin AKP pengohet të ketë qasje ligjore në dokumentacionin administrativ dhe procedura tjera ligjore, në shtetet tjera AKP zhvillon në vazhdimësi procedura administrative dhe gjyqësore në emër të Ndërmarrjeve Shoqërore, për posedim ligjor të këtyre pronave. Procesi i posedimit faktit dhe juridik i pronave në fjalë, mbetet sfidë jo e lehtë për AKP dhe Ndërmarrjet Shoqërore, duke marrë parasysh rrethanat shumëvjeçare të zhvillimeve politike dhe kornizës ligjore të shteteve përkatëse”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Të ngjashme