Lajme
Çfarë po ndodh me pronat e Kosovës në bregdetin e Malit të Zi, flasin nga Ministria e Drejtësisë
Demokracia
19:31 | 21 Maj 2022

Share:

Në bregdetin e Malit të Zi gjenden disa prona që i përkasin Kosovës që nga koha e ish-Jugosllavisë, por të cilat aktualisht janë uzurpuar, privatizuar apo janë tjetërsuar nga ndërmarrje të ndryshme.

Këto prona gjenden në qytetet më të njohura bregdetare, si në Budva, Ulqin, Tivar, Tivat etj., dhe paraqesin vendet më të bukura për zhvillimin e turizmit në Mal të Zi.

Ndërkohë Kosova ka ushtruar një padi për kthimin e të drejtës së pronës, shkruan Demokracia.com.

Në një përgjigje nga Ministria e Drejtësisë thonë se janë në pritje të shqyrtimit fillestar të këtij rasti.

“Institucionet e Kosovës bazuar në legjislacionin në fuqi, në vitin 1961, kanë blerë nga personi fizik ngastrën kadastrale, me qëllim të ndërtimit të Pushimores së Fëmijëve dhe të Rinjve “Ganimete Tërbeshi” në Beçiq”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga Ministria e Drejtësisë kanë thënë se Avokatura Shtetërore nuk ka kontaktuar me autoritetet malazeze lidhur me këtë çështje.

“Duke mos ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, presim epilogun në gjykatë e më pas vendimin gjyqësor”, thuhet në përgjigjen e tyre për Demokracia.com.

Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova ende nuk e ka pronësinë e 172 pasurive të saja në shtetet që përbënin ish-Jugosllavinë. Kosova ka prona të shumta në shtetet e kësaj ish-federate, e vetëm në shtetin e Malit të Zi ka mbi 40 prona.

Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka paditur Komunën e Budvës dhe kompaninë “Sunraf Beach Properties”, duke kërkuar kthimin e rreth 4.500 metrave katrorë pronë në shëtitoren Rafailoviq, e cila dikur ishte një vendpushim për fëmijë.

Në këtë padi pretendohet që kjo parcelë dikur e quajtur “Ganimete Tërbeshi” ishte blerë gjashtë dekada më parë nga ana e Kosovës. Sipas medias malazeze “Vijesti”, kjo padi që kërkon të drejtën pronësore është paraqitur në Gjykatën Themelore të Kotorrit.

Ministria e Drejtësisë ka kërkuar nga Gjykata e Kotorrit të lëshojë masën e përkohshme që ndalon tjetërsimin e pronës deri në përfundimin e kësaj lënde në gjykatë. Ky vendpushim më vonë u emërtua si “Lahor”, sipas të njëjtës kompani nga Prishtina. Pas luftës në Kosovë, dega e kompanisë u zhvendos në Malin e Zi, ku pastaj është privatizuar.

Pas kësaj, ndërtesa e rrënuar e ish-vendpushimit është shkatërruar plotësisht, ku aktualisht është duke u ndërtuar një kompleks shumëkatësh.

Kjo padi thotë se Kosova është pronare e kësaj toke dhe si provë i ka bashkangjitur një marrëveshje të blerjes, të lidhur më 22 mars 1961 në Gjykatën e Qarkut të Kotorrit, ku parcelën prej 4.555 metra katrorë e kishte blerë Këshilli Social për Çështjet Politike dhe Sociale. Komuna e Budvës, e përfaqësuar nga Sekretariati për Mbrojtjen e Pronës ka kundërshtuar procesin gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata ta hedhë poshtë atë si të pavlefshme. Që nga përfundimi i luftës në vitin 1999, Kosova ende nuk e ka pronësinë e 172 pasurive të saja në shtetet që përbënin ish-Jugosllavinë.

Kohë më parë, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit të Malit të Zi, pasi Gjykata Themelore e Kotorrit kishte refuzuar padinë që pretendon se kompania “Rekreaturs” u ka vjedhur pronën e Kosovës prej 33 mijë metrash katrorë në plazhin e Kamenovës.

Gjithashtu AKP ka ngritur padi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Strasburg dhe se janë duke pritur vendimin.

Gjatë procesit gjyqësor pretendohet se “Rekreaturs” në mënyrë të paligjshme ka ndryshuar selinë e saj nga Prishtina në Budvë.

Kompleksi prej gati tre hektarë e gjysmë, në të cilin ka qenë vendpushim për qytetarët nga Kosova, siç është shkruar në regjistrat kadastralë të Administratës së Patundshmërive është pronë e Malit të Zi dhe se bashkëpërdoruesi është regjistruar në “Rekreaturs”.

Kosova ka 99 prona të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në Serbi, 15 prona në Bosnjë e Hercegovinë, 8 asete në Maqedoninë e Veriut, në Kroaci sipas të dhënave të AKP-së janë 5 prona, ndërkaq në Slloveni është një pronë./ Demokracia.com/

Të ngjashme