Lajme
Çfarë përmbajnë letrat që pesë shtete i dërguan Kurtit?
Demokracia
11:11 | 25 Mars 2021

Share:

Kryeministri Albin Kurti ka pranuar letër urimi nga pesë shtete, pas marrjes së detyrës së re në krye të qeverisë.

Kurti është zgjedhur kryeministër i ri i Kosovës më 22 mars, pasi fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Demokracia.com.

Përmes një komunikate për media nga zyra e Kryeministrit, është bërë e ditur se Kurti ka pranuar pesë letra urimi nga kryeministri i Italisë, Mario Draghi, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, kryeministri i Çekisë, Andrej Babiš dhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pas marrjes së detyrës së re në krye të ekzekutivit, ka pranuar letër urime nga Kryeministri i Italisë, z. Mario Draghi, Presidenti i Turqisë, z. Recep Tayyip Erdoğan, Kryeministri i Kroacisë, z. Andrej Plenković, Kryeministri i Çekisë, z. Andrej Babiš dhe Kryeministri i Hungarisë, z. Viktor Orbán”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, në letrën e urimit dërguar Albin Kurtit ka shkruar se Qeveria holandeze është e përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Më lejoni t’ju përgëzoj për zgjedhjen tuaj, për herë të dytë, si Kryeministër i Republikës së Kosovës. Pavarësisht nga sfidat e pandemisë, Qeveria ime është e përkushtuar për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis vendeve tona. Ju siguroj se Kosova mund të vazhdojë të llogarisë në mbështetjen e Hungarisë në objektivin e saj të integrimit evropian. Me shpresën se do t’ju takoj së shpejti personalisht, ju uroj suksese të mëdha dhe shëndet të mirë për punën tuaj me përgjegjësi të lartë”, thuhet në letrën e kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orbán.

Kryeministri i Çekisë, Andrej Babiš, në letrën e urimit dërguar Kurtit, ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës, që me sukses të kalojnë pandeminë COVID-19, përcjell Demokracia.com.

“Më lejoni që sinqerisht t’ju uroj për emërimin tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës dhe për votëbesimin e suksesshëm të qeverisë suaj në Kuvend. Me këtë rast, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për marrëdhëniet e mira dhe miqësore ndërmjet Republikës Çeke dhe Republikës së Kosovës, si dhe të shpreh bindjen time të fuqishme që ato do të vazhdojnë në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Gjithashtu dëshiroj ta theksoj mbështetjen tonë ndaj Republikës së Kosovës në përpjekjet e saj për fuqizimin e parimeve demokratike, ndërtimin e marrëdhënieve miqësore brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe ndaj ambicieve të saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Dëshiroj t’ju uroj juve dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës sukses në luftimin e pandemisë COVID-19. Shpresojmë që, falë vaksinave tani në dispozicion, pandemisë shpejt do t’i vijë fundi dhe ne ta vazhdojmë bashkëpunimin tonë në plotësi. Shkëlqesia Juaj, ju lutem pranoni urimet e mia për sukses të plotë në punën tuaj me përgjegjësi”, thuhet në urimin e kryeministrit të Çekisë, Andrej Babiš.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenković, shkruan në letrën e urimit se marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më shumë, siç thuhet në letër për shkak të marrëdhënieve miqësore dhe historike mes popullit kroat dhe kosovar.

“Me rastin e emërimit tuaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë të shpreh urimet e mia më të sinqerta, si në emrin tim edhe në emër të Qeverisë së Kroacisë. Ju uroj shumë suksese në kryerjen e detyrave tuaja të rëndësishme. Bazuar në marrëdhëniet miqësore dhe historike mes popullit Kroat dhe Kosovar, jam më se i bindur që marrëdhëniet tona bilaterale do të vazhdojnë të forcohen, për përfitimin e të dy vendeve tona dhe popujve tanë. Qeveria ime dhe unë qëndrojmë të gatshëm për të ju asistuar juve në çdo mënyrë që mundemi në transferimin e njohurive dhe përvojës tonë, dhe për të punuar me ju dhe qeverinë tuaj në avancimin e perspektivës së Kosovës për në NATO dhe BE. Mezi presim të rrisim bashkëpunimin tonë ekonomik bilateral dhe tregtinë që duhet të arrijë nivelin e marrëdhënieve tona të mrekullueshme politike. Shkëlqesia juaj, ju lutem pranoni konsideratat e mia më të larta”, thuhet në letrën e kryeministrit të Kroacisë, Andrej Plenković.

Kryeministrit të Italisë, Mario Draghi, në letrën e urimit dërguar Kurtit shkruan se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen dhe kontributin e Italisë në përputhje siç shkruan në letër, me angazhimin e tyre historik dhe të konsoliduar me pjesëmarrje në misionin e KFOR-it, përcjell Demokracia.com.

“Me rastin të ardhjes Suaj në krye të Qeverisë kosovare, dëshiroj t’ju dërgoj urimet më të përzemërta në emrin tim dhe të Qeverisë Italiane dhe t’ju uroj sukses në punën e Qeverisë. Formimi i Qeverisë suaj bie në një moment historik të karakterizuar nga sfidat globale të paraqitura nga pandemia COVID-19, të cilat përcillen nga prioritetet që do të adresohen në nivel kombëtar – nga konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimi i ligjit deri te rimëkëmbja ekonomike – dhe stabilizimi i plotë i kornizës rajonale, ku rezultati i suksesshëm i dialogut me Serbinë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian përfaqëson një element qendror. Në përballje me këto sfida, Kosova mund të llogarisë në mbështetjen dhe kontributin e Italisë në përputhje me angazhimin tonë historik dhe të konsoliduar me pjesëmarrje në Misionin e KFOR-it. Në pritje të mundësisë t’ju takuar, Ju lutem pranoni përshëndetjet e mia më të ngrohta”, thuhet në urimin e kryeministrit të Italisë, Mario Draghi.

Më tej në komunikatë thuhet se Kurti është uruar për fillimin e punës në krye të Qeverise së Kosovës dhe siç thuhet aty, i është ofruar edhe bashkëpunim ndërshtetëror./Demokracia.com/

Të ngjashme