Lajme
Çfarë përfaqësojnë muxhahedinët, historiku i MEK: Nga revolucioni te ardhja në Manzë të Durrësit
Demokracia
13:54 | 20 Qershor 2023

Share:

Organizata MEK, ose Muxhahedin e Khalk, lindi në vitin 1963 në Iran, me objektivin për t’iu kundërvënë influencës perëndimore në vend dhe për të luftuar regjimin laiko-autoritar.

Në vitin 1979 MEK mori pjesë në Revolucionin e udhëhequr nga Ruhollah Khomeini, por ideologjia e saj, një ndërthurje mes marksizmit dhe islamizmit, binte ndesh me atë të ajatollahëve dhe rrjedhimisht u ndalua, raporton Euronews Albania.

Kështu, në vitin 1981, MEK u transferua në Paris ku themeloi selinë qendrore të saj dhe 5 vite më vonë u spostua në Kampin Ashraf, në veri të Bagdadit, prej nga mbështeste luftën e Sadam Husein kundër Iranit, si dhe shtypjen e kurdëve.

Në 2003-shin, MEK u çarmatos nga amerikanët dhe u spostua në Kampin Liberti. Që prej atëherë, organizata ka vazhduar të luajë një rol të dorës së parë në aktivitetin politik dhe diplomatik kundër regjimit të Teheranit.

Por më parë grupi ishte përfshirë në listën e zezë jo vetëm nga Irani dhe Iraku, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe Kanadaja, për të dalë prej saj në periudhën mes viteve 2008-2012.

Një artikull i datës 21 shtator 2012 i “New York Times” ilustronte se si sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Hillary Clinton kishte vendosur ta hiqte MEK nga lista e zezë, për ta rivendosur larg nga ndikimi i agjentëve të Teheranit, në një vend të gatshëm për ta pritur: Shqipërinë.

Objektivi ishte i qartë: të përdorej MEK për të mbështetur një ndryshim të regjimeve në Teheran.

Që prej vitit 2013, MEK ka mbajtur një sërë eventesh dhe samitesh në selinë e saj në Manzë të Durrësit, ku kanë marrë pjesë zyrtarë e ish-zyrtarë amerikanë si ish-sekretari i Shtetit Mike Pompeo dhe ish-zëvendës presidenti Mike Pence, i cili mbajti një fjalim të rëndësishëm qershorin e 2022-shit.

Në ditët e sotme, organizata udhëhiqet nga Marjam Raxhavi. Shumë zyrtarë republikanë në Shtetet e Bashkuara dhe anëtarë të Kongresit e shohin atë si një zë të rëndësishëm për ndryshimin e regjimit në Iran.

Por shumë analistë dhe njohës të zhvillimeve gjeopolitike shtrojnë pyetjen se çfarë është MEK? Një grup disidentësh të përndjekur nga regjimi iranian? Një forcë opozitare sektare e përbërë nga elementë të stërvitur ushtarakisht dhe në gjendje të rrëzojnë një regjim? Apo një organizatë terroriste, sikundër konsiderohej deri dje.

Të ngjashme