Lajme
Çfarë ndodhi sot në mbledhjen e KQZ-së?
Demokracia
13:23 | 02 Shkurt 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur sot një mbledhje së bashku me Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit, Këshillin Gjyqësor dhe përfaqësues nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme Parlamentare të cilat do të mbahen me 14 shkurt.

Kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve është një nga proceset me të mëdha dhe gjithëpërfshirëse për një vend si Kosova, që sipas saj tashmë ka traditë në këtë drejtim, raporton Demokracia.com

Daka shtoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdimisht është angazhuar për organizimin e zgjedhjeve të besueshme dhe me standard të lartë gjë që është vlerësuar edhe në raporte të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

“Prandaj në emër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dua te garantoj të gjithë pjese marrësit në këtë proces zgjedhor dhe sidomos qytetarët  se KQZ-ja mbetet e përkushtuar për organizimin e zgjedhjeve sipas Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe standardeve më të mira ndërkombëtare”, tha Daka

Ajo po ashtu u tha të gjithë akterëve të zgjedhjeve sidomos të gjithë subjekteve politike të cilat janë pjesë e garës që ditën e zgjedhjeve t’i përmbahen Kushtetutës, ligjeve për zgjedhje në fuqi dhe rregullave të zgjedhjeve.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samendin Mehmeti ka thënë se policia lidhur me procesin zgjedhor ka hartuar urdhrin operativ në nivel qendror dhe plane operacionale të cilat parashohin të gjitha masat preventive operacionale dhe hetimore policore për çdo faze të procesit zgjedhor.

Sipas Mehmetit, formimi i këtij urdhëri është krijimi i një klime të sigurt për gjithë qytetarët e Kosovës gjatë gjithë procesit zgjedhor.

“Mbajtja e rendit dhe qetësisë dhe sigurisë publike në vend para gjatë dhe pas procesit zgjedhor, monitorimi dhe marrja e masave policore para gjate dhe deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor, sigurimi i qendrave të votimit këshillave komunale të zgjedhjeve, depove komunale, qendrës për numërimin e rezultateve dhe depos qendrore. Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i të gjitha materialeve sensitive zgjedhore gjatë gjitha destinacionit e parapara sipas planit dhe sigurisë deri në përfundim të operacionit në bashkëpunim dhe në koordinim të ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, tha Mehmeti.

Ai po ashtu ka thënë se “Policia e Kosovës do të vazhdojë me përkushtim dhe me profesionalizëm më të lartë zbatimin e të gjitha fazave të operacionit policor me qëllim të sigurisë të një ambienti ku gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë demokratike do të kenë mundësin ta shprehin vullnetin e tyre.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula ka thënë se sistemi prokurorial është angazhuar në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve të Kosovës dhe tregoi se janë caktuar 88 prokurorë dhe 40 zyrtarë nga sistemi prokurorial të cilët do të jenë gardian të mbrojtës së votës së lirë.

Pula po ashtu kishte edhe një kërkesë të posaçme për të gjithë keqpërdoruesit e votës së lirë

Sipas saj, Prokurori i Shtetit së bashku me Policinë e Kosovës do të arrestojnë dhe do të ndalojnë të gjithë votuesit dhe zyrtarë përgjegjës që në çfarë do mënyrë tentojnë apo ndikojnë në keqpërdorimin e votës së lirë të sovranit.

Koordinatorja për zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Fatime Dërmaku tregoi se në kuadër të kompetencave të veta ka angazhuar 30 gjyqtar në nivel vendi për ditë e zgjedhjeve të cilët do të jenë kujdestarë dhe do të ju përgjigjen të gjitha kërkesave eventuale.

Sipas saj, Gjykata Themelore e Prishtinës kea caktuar 8 gjyqtarë , një gjyqtar nga Departamenti Special. Nga departamenti i Krimeve të Rënda janë caktuar dy gjyqtarë, ndërsa në kuadër të regjionit të Prishtinës ka 5 gjyqtarë të tjerë që janë në gatishmëri  për Departamentin e përgjithshëm.

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar 4 gjyqtarë, një në departamentin e Krimeve të Rënda dhe 3 departamentin e Përgjithshëm.

Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe Mitrovicë të Veriut ka një gjyqtar në departamentin e Krimeve të Rënda dhe një në Departamentin e Përgjithshëm.

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar katër gjyqtarë gjithsej një në Departamentin e Krimeve të Rënda dhe tre në Departamentin e Përgjithshëm në degët e saj.

Gjykate Themelore në Pejë ka caktuar pesë gjyqtarë një në departamentin e Krimeve të Rënda dhe në Departamentin e përgjithshëm, përfshirë dhe degët e saj.

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar dy gjyqtarë një në departamentin e Krimeve të Rënda dhe një në Departamentin e Përgjithshëm.

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar katër gjyqtarë kujdestarë, një në departamentin e Krimeve të rënda dhe tre në Departamentin e Përgjithshëm.

Kryesuesi i Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP-i), Shukri Sylejmani ka treguar se PZAP-i dhe sekretariati i këtij institucioni do të përmbushim të gjitha obligimet që janë të përcaktuara në memorandum.

“Në kuadër të këtij bashkëpunimi me këto institucione PZAP-i ka caktuar një person kontaktues z. Mulë Desku kryesues i sekretariatit të këtij institucioni i cili do të ketë kontakt me të gjitha këto institucione, që të përmbushim të gjitha obligimet që janë të përcaktuara në memorandum”, tha Sylejmani.

Ai po ashtu tha se PZAP-i  ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për kryerjen e gjitha aktiviteteve që janë në mandatin e saj.

Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahën më 14 shkurt./Demokracia.com

Të ngjashme