Lajme
Kurti në heshtje pas takimit të djeshëm në Presidencë, i vetmi nga liderët që nuk e tha asnjë fjalë
Demokracia
08:11 | 16 Maj 2025

Share:

Takimi i së enjtes mes Presidentes Vjosa Osmani dhe liderëve të partive, ka përfunduar pa ndonjë rezultat. Liderët partiakë thanë nuk është gjetur rrugëdalje për ngërçin e krijuar tash e një muaj. Ndërkohë presidentja Osmani tha se “ekziston një disponim minimal”, për të cilin tha është e bindur se do të rritet me kalimin e kohës. I vetmi që deri më tani nuk është deklaruar për takimin është kryeministri në detyrë dhe kreu i VV-së, Albin Kurti.

Presidentja Osmani paralajmëroi  se duke filluar nga java e ardhshme, mund t’i takojë edhe ndaras secilin lider nëse ka nevojë. Osmani po ashtu tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo tha se këtë e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.

“Kam shprehur gatishmërinë pas diskutimeve që të shohim rrugën përpara në qoftë se është e nevojshme, mirëpo për momentin mendoj që duhet të vazhdojnë përpjekjet për krijim me vetë vullnetin e partive, Nëse zvarritet shumë, janë disa opsione. Një opsion është vetë deputetët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Mënyra tjetër është që unë si president ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ajo.

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, u shpreh pesimist se kreu i VV’së do të ndërrojë qëndrim. Sipas tij, Kurti po e mban peng shtetin.

“Fatkeqësisht jemi në situatën e njëjtë por duhet ta shohim këtë situatë si një hap para. Kjo qasje autoritare e VV-së vazhdon pa e pasë shumicën ne e kemi obligim të bëjmë çmos për të gjetë një zgjidhje. S’ka risi, nuk jam aspak optimist që Kurti do të ndërrojë qëndrim. Ai nuk ka vota për komision, as kryetare, e as për kryeministër. Duke mos i pasë votat, po e mban peng krejt shtetin. Siç po shihet nuk ka tym të bardhë”, deklaroi Krasniqi.

Për kreun e LDK’së, Lumir Abdixhikun, Kurti në këtë takim ka treguar se s’ka interesim për zhbllokim të situatës.

“Partitë qëndruan në pozicionet paraprake që nënkupton se nuk ka iniciativë që do ta zhbllokojë gjendjen e tanishme. Siç e pashë në takim, nga partia e parë nuk ka brengë, as urgjencë që kjo çështje të zgjidhet sa më pare”, deklaroi Abdixhiku.

Ai tha se para Presidentes dhe krerëve të partive ka prezantuar propozimin e tij për qeveri të tranizionit. Sipas tij, Osmani duhet që ta shqyrtojë sa më parë dërgimin e kësaj çështje në Kushtetuese.

“Në takim e kam elaboruar idenë e një qeverie të unitetit. Insistimi pa shumicë parlamentare, sjell ngërç politik. Nuk jemi të interesuar që në situatën e tanishme të vazhdojmë cirkun e 48 orëve. Është mirë që presidentja të shqyrtojë që sa më parë të shqyrtojë dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën Kushtetuese. Ne kishim një plan përpara, dy partitë e tjera kishin mirëkuptim, por jo edhe e para”, tha Abdixhiku para mediave”, tha Abdixhiku.

Deklaratë para gazetarëve dha edhe kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj. Ai tha se kandidati për kryetar kuvendi duhet “një person unifikues në mënyrë që të kalojmë në etapën tjetër edhe kuptohet e kemi mirëpritur këtë mundësi të bisedës me presidenten”.

“Kemi dhënë idenë tonë. Do ta votojmë për kryetar të Kuvendit një person unifikues”, ka thënë ai.

Kujtojmë se ditën e djeshme, për herë të 16-të nuk ka arritur të konstituohet Kuvendi i Kosovës. Hapat për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit kanë nisur më 15 prill, saktësisht një muaj më parë.

Tashmë janë bërë mbi tre muaj kur Kosova ka mbajtur zgjedhjet parlamentare, në të cilat Vetëvendosje doli partia e parë, e pasuar nga PDK, LDK dhe AAK-NISMA.

Të ngjashme