Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje pas votimit mori vendim për mosceritifkimin e listave të LVV-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, ndërsa ceritifkoi ato të LDK-së dhe PDK-së.
Mbledhja e KQZ-së zgjati për plot shtatë orë dhe në të njëjtën u diskutua certifikimi i listave të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Fillimisht, Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike rekomandoi certifikimin e të gjithë kandidatëve, përfshirë këtu edhe ata me vepra penale në tre vitet e fundit, raporton Demokracia.com
Një kërkesë e tillë u përkrah nga VV, AAK dhe NISMA, por u kundërshtua në PDK dhe LDK.
E përpos dy partive të fundit, edhe kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka tha se ky rekomandim është i paqartë.
“Nuk e kemi të qartë se cilët kandidatë i plotësojnë kushtet e cilët jo. Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim është ajo që e bënë filtrimin dhe e dërgon rekomandim. Kërkesat i janë dërguar të gjitha institucioneve dhe pastaj është kërkuar nga subjektet politike që të zëvendësohen kandidatët që nuk i kanë plotësuar kriteret. Rekomandimin që e kemi sot nuk na shpjegon se a i përmbushin këta kandidatë kriteret e apo jo”, tha Daka.
Sidoqoftë, në fund të mbledhjes u vendos që të votohet veç e veç për secilën parti.
Fillimisht nuk u certifikua lista e Nismës Socialdemokrate, e cila personat e dënuar nuk i zëvendësoi ata me emra të tjerë.
Fat të njëjtë pati edhe lista e Vetëvendosjes, madje edhe kreu i kësaj partie Albin Kurti ka një vepër penale të konfirmuar në tre vitet e fundit, raporton Demokracia.com
Ndërkaq, as lista e AAK-së nuk u certifikua për arsyet e lartpërmendura. Të gjitha këto parti nuk morën votat e nevojshme për certifikim.
Vlen të theksohet se PDK dhe LDK u certifikuan, parti këto që i zëvendësuan personat me vepra penale në listat e tyre.
Siç u bë e ditur nga KQZ, partitë kanë kohë deri më 31 janar që të ankohen në PZAP lidhur me këto vendime.
Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 14 shkurt. Të njëjtat vijnë pas rrëzimit të Qeverisë Hoti nga Gjykata Kushtetuese, e cila e shpalli si jolegjitime për shkak të votës së Etem Arifit./Demokracia.com