Lajme
Çfarë Kosova ka nevojë tani nuk është njohja nga Serbia
Demokracia
11:32 | 16 Shkurt 2021

Share:

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë kanë nxjerrë – siç është pritur – Vetëvendosjen (apo VV-në) si fituese të qartë. Sipas rezultateve ende jo zyrtare, VV ka fituar gati 48 për qind të votave dhe përparësi vendimtare në Kuvendin e Kosovës me mbi 50 ulëse nga gjithsej 120.

Ky është çasti i Albin Kurtit. Lideri i VV-së, ende i ri në moshë, i artikuluar, ka qenë Kryeministër për dy muaj edhe vitin e kaluar. Administrata e Trump nuk e ka pëlqyer insistimin e tij për reciprocitet me Serbinë apo skepticizmin e tij ndaj zgjidhjes bizare të Trump-it për emisar amerikan. Washington e shfrytëzoi një çarje në koalicionin e tij qeverisës për ta rrëzuar atë nga pushteti. Kjo nuk duket se do të ndodh këtë herë, jo vetëm për shkak se VV ka kaluar edhe më mirë në zgjedhje por edhe për shkak se Trump më nuk është president. Administrata e Biden – së paku – do të tregojë më shumë respekt për demokracinë kosovare.

Megjithatë, kjo nuk do ta shpëtojë Albinin nga një sfidë edhe më e madhe: ndërtimi i një shumice të tillë në Kuvend që do t’ia mundësojë zgjedhjen e Presidentit të ri si dhe t’i sigurojë një pozitë më të fuqishme në negociatat me Serbinë. Të dyja këto kërkojnë dy të tretat e votave në Kuvend. Dallime në qëndrime mund të ketë me partitë e komuniteteve jo-shumicë; por do të nevojiten votat edhe të së paku njërës parti që përfaqëson komunitetin shumicë, shqiptarët. Dy kandidatët më të mundshëm kanë histori të raporteve jo të mira me VV-në: LDK, që doli e treta dhe me rezultat të dobët në zgjedhje, është partia që e rrëzoi koalicionin jetëshkurtër të Albinit vitin e kaluar; ndërsa VV ka qenë kritikuesja më e ashpër e PDK-së që doli e dyta në zgjedhje, veçanërisht e ish liderit të saj, Hashim Thaçi, që tani është edhe i akuzuar. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e Ramush Haradinajt nuk do të ketë mjaftë ulëse që t’i sigurojë VV-së dy-të-tretat, por do të ishte hap në atë drejtim.

Sistemi parlamentar i Kosovës shpesh ka prodhuar qeverisje kalimtare që kanë zgjatur. Albini mund të bëjë më të shkurtë këtë kohë duke vepruar në mënyrë unilaterale, por kjo do ta bënte më të vështirë dhe jo më të lehtë formimin e koalicioneve të nevojshme kur të vijë koha. Negociatat me Serbinë dhe zgjedhja e Presidentit të ri nuk do të jenë prioritetet më të larta për VV-në. Albini do të preferojë të përqendrohet në prioritetet e fushatës: vendet e punës dhe drejtësia. Kjo nuk do të jetë e lehtë pasi Covid-19 ka goditur rëndë ekonominë kosovare ndërsa reforma në sistemin e drejtësisë është projekt afat-gjatë. Amerikanët dhe europianët do të provojnë të bëjnë Prishtinën që të përfshihet sa më parë në dialogun me Serbinë e cila do të përballet me zgjedhje presidenciale e sipas të gjitha gjasave edhe me ato parlamentare që në prillin e vitit 2022 (e ndoshta edhe më herët). Pra, negociata serioze me Serbinë pas këtij viti nuk mund të ketë.

Ndonëse BE synon atë, ka pas gjasa për një marrëveshje “finale” në këtë afat kohor. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka bërë të qartë se nuk do të njoh Kosovën para ri-zgjedhjes së tij, nëse fare do ta bëjë këtë. Mund të ndërmerren disa hapa të ndërmjetëm si masa për të ndërtuar mirëbesimin, të përqendruara në personat e pagjetur që nga lufta e vitit 1999 si dhe implementimi i disa marrëveshjeve ekzistuese në mes Beogradit e Prishtinës, prej të cilave vetëm disa janë realizuar në atë nivel ashtu që të dyja kryeqytetet të jenë të kënaqura. Si do qoftë, Prishtina duhet të jetë gati që të tërhiqet nga një marrëveshje e keqe ashtu që të sigurojë një (marrëveshje) të mirë më vonë. Albini do të bënte mirë nëse i përgjigjet në mënyrë adekuate hezitimit të Vuçiqit.

Megjithatë, një marrëveshje gjithëpërfshirëse është më se e nevojshme. Refuzimi i Serbisë që të njohë “krahinën autonome” të dikurshme e mban Kosovën në një gjendje pezull në skenën ndërkombëtare, me kufij të paqartë dhe të pashënuar, që i lejon Serbisë që të minojë shtetësinë e saj, integritetin territorial dhe sovranitetin e saj. Por, e lë edhe Serbinë pa “marrëdhënie të mira ndër-fqinjësore” që është kusht për anëtarësim në BE. Dy kryeqytetet duhet të mendojnë seriozisht zgjidhjen Gjermano/Gjermane që përmendet shpesh e që parashihte anëtarësim në Kombet e Bashkuara për Republikën Demokratike Gjermane (Gjermaninë Lindore) si dhe përfaqësim në nivel ambasadorësh në dy kryeqytetet por jo edhe njohje formale. Askush që e njeh Kosovën nuk do të priste që rezultati afat-gjatë të jetë si në rastin e Gjermanisë (pra, inkorporomi i Kosovës në Serbi).

Nëse Kurti, qoftë si lideri i VV-së apo si kryeministër, ka sukses qoftë edhe modest në përmbushjen e premtimeve për “punë dhe drejtësi” në dy vitet e ardhshme, atëherë Kosova do të jenë në pozitë shumë më të fuqishme që të negociojë suksesshëm me Serbinë. Pasja e një ekonomie më të fuqishme dhe një sistem drejtësie që mund të përballet edhe me krimin ndër-etnik edhe me korrupsionin në nivelet e larta, do të bënte Washingtonin dhe Brukselin përkrahës pa ekuivoke të Kosovës. Suksesi do t’i siguronte edhe pozitë më të fuqishme në reciprocitetin me Beogradin. Pra, Albin Kurti duhet të kryejë një detyrë të madhe: atë të tijën.

(Daniel Serwer është profesor në “Johns Hopkins University, School of Advanced International Studies” dhe drejtor i programeve “Conflict Management” dhe “American Foreign Policy” në këtë universitet; si dhe bashkëpunëtor në “Middle East Institute”. Ky opinion i tij së pari është botuar në blogun e tij: peacefare.net)

Të ngjashme