Lajme
Çfarë kishte thënë IPK-ja për përfshirjen e Samedin Mehmetit në rastin e kapjes së 400 kilogramë drogë në Lipjan
Demokracia
11:12 | 25 Nëntor 2021

Share:

Shtatë persona ishin arrestuar nga Policia e Kosovës në maj të këtij viti, pas konfiskimit të 400 kilogramëve të substancave narkotike të llojit kokainë, të cilat u kapën në oborrin e një kompanie private në Lipjan.

Deokracia.com në fillim të këtij muaji kishte kërkuar përgjigje nga Inspektorati Policor i Kosovës lidhur me përfshirjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti në këtë rast.

Në përgjigjen e saj, IPK-ja nuk kishte dhënë shumë detaje për këtë raste, me arsyetimin se mund të pengohen hetimet.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se në këtë fazë të hetimit nuk mund të shpalosen më shumë detaje sesa komunikata e lëshuar nga IPK-ja. Për detaje të tjera ju lutemi që ti referoheni Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë për Demokracia.com me 8 nëntor.

Demokracia.com ka dërguar pyetjeje edhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, të cilët kanë thënë se për këtë rast të drejtoheni në Prokurorinë Speciale, e kjo e fundit nuk ka kthyer ende ndonjë përgjigje.

Ndërsa lidhur me suspendimin e nënkolonelit A.A, lidhur me këtë rast, IPK kishe lëshuar një komunikatë me 20 shtator.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i kanë rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e një zyrtari policor me gradën e nënkolonelit policor. Hetuesit e IPK-së në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë janë duke hetuar një rast i dyshuar është një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”. Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për këtë rast në koordinim me prokurorinë e shtetit”, kishte qenë njoftimi i IPK-së

Ndryshe, për rastin në fjalë ishte prononcuar edhe kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, i cili kishte thënë se ky kontingjent kokaine kishte vlerë rreth 20 milionë euro, ndërsa dyshohet se ka ardhur nga Brazili, ka kaluar nëpërmjet Italisë në Shqipëri e më pas edhe në Kosovë, dhe se hetimet po vazhdojnë në të tria vendet. /Demokracia.com/

Të ngjashme