ShowBiz
Çfarë është sindroma ‘Ramsay Hunt’ që i shkaktoi paralizë të fytyrës këngëtarit Justin Bieber?
Demokracia
12:03 | 11 Qershor 2022

Share:

Ylli i muzikës pop, Justin Bieber, së fundmi ka zbuluar se po vuan nga paraliza e fytyrës – e shkaktuar nga sindroma Ramsay Hunt.

Sindroma e lartpërmendur është një çrregullim neurologjik i karakterizuar nga dridhjet e fytyrës apo paraliza, që është e shoqëruar nga një skuqje që prek veshin ose gojën.

Ky çrregullim thuhet se prek rreth 5 në çdo 100,000 njerëz në vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Justin Bieber (Foto: Instagram)

Kjo sindromë shkaktohet nga një infeksion i virusit varicella-zoster, i njëjti që shkakton linë e dhenve dhe herpesin, që nënkupton se kushdo që ka vuajtur njërën prej këtyre sëmundjeve mund të vuajë gjithashtu këtë sindromë.

Ramsay Hunt është gjithashtu e trajtueshme nëse kapet brenda dy tri ditëve nga fillimi i simptomave, ndonëse nuk duhet lënë anash mundësinë që për disa njerëz – humbja e dëgjimit dhe paraliza mund të bëhen të përhershme.

Justin Bieber (Foto: Instagram)

Për të menaxhuar efektet anësore të sëmundjes mund të përdoren edhe disa barna si shtypësit e vertigos ose reduktuesit neuropatik të dhimbjes.

Në bazë të kësaj, artisti njoftoi se po shtynte disa shfaqje që kishte planifikuar në kuadër të turneut të tij botëror.

“Më thyhet zemra që do të më duhet t’i shtyj këto shfaqje të ardhshme (urdhrat e mjekëve). Të gjithë njerëzit e mi, ju dua shumë dhe do të pushoj e do të shërohem”, tha ai në një deklaratë.

Të ngjashme