Lajme
Çfarë duhet të dimë për vaksinën AstraZeneca të cilën Kosova do ta marrë sot?
Demokracia
12:43 | 28 Mars 2021

Share:

Mbrëmjen e të dielës (28.03.2021), saktësisht në ora 20:15, pritet që të vijnë në Kosovë dozat e para anti-COVID. Ky kontingjent i vaksinave kundër COVID-19 është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX.

Sipas komunikatës së dërguar nga Zyra e Kryeministrit, ceremonia e pranimit të vaksinave mbahet në pistën e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, (para terminalit VIP), me fillim nga ora 20:15.

Më tej, në komunikatë thuhet se në pranimin e kontingjentit të parë të vaksinave anti-COVID do të marrin pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përfaqësuesi i Zyrës së BE-së, Riccardo Serri, ambasadorët e QUINT-it,  si dhe përfaqësuesi i United Nations Kosovo Team (UNKT), përcjell Demokracia.com.

Vaksina AstraZeneca

Vaksina AstraZeneca është bërë nga një version i dobësuar i një virusi të ftohtë të zakonshëm (i njohur si adenovirus). Është modifikuar që të ngjajë me koronavirusin dhe nuk mund të shkaktojë sëmundje. Pasi të injektohet, kjo vaksinë e mëson sistemin imunitar të trupit se si të luftojë virusin COVID-19.

Ndryshe nga vaksinat tjera anti-COVID (Pfizer dhe Moderna), të cilat duhet të mbahen në një temperaturë jashtëzakonisht të ftohtë (-70C, -20C), vaksina e Oksfordit (AstraZeneca) mund të ruhet në një frigorifer normal. Kjo e bën shumë më të lehtë shpërndarjen e saj në shumë shtete.

Për momentin, në shumë vende, veçanërisht në kontinentin afrikan, vaksina AstraZeneca është e vetmja që do të jetë në dispozicion në sasi të konsiderueshme.

Vaksina ka marrë miratim rregullator në më shumë se 100 vende dhe përdoret me besim, por ende nuk është aprovuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA)

Më shumë se 20 milionë doza AstraZeneca janë administruar në vendet e Bashkimit Europian (BE) dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Vaksina po shpërndahet gjithashtu përmes skemës COVAX, në dhjetëra vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, pjesë e të cilës do të jetë edhe shpërndarje e këtij kontingjenti i cili pritet të arrijë sot edhe në Kosovë. AstraZeneca ka angazhuar 170 milionë doza për COVAX dhe planifikon në përgjithësi të prodhojë 3 miliardë doza deri në fund të vitit 2021.

Çfarë është COVAX?

COVAX është një partneritet midis Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe dy grupeve ndërkombëtare, aleanca e vaksinave Gavi dhe Koalicioni për Inovacione të Gatishmërisë Epidemike (CEPI), që synon të dërgojë vaksina në vendet në zhvillim.

Shumica e fondeve e COVAX ka ardhur nga vendet me të ardhura të larta dhe organizatat ndërkombëtare si Fondacioni Bill & Melinda Gates.

Sa efektive është AstraZeneca dhe sa vaksinat e tjera?

Prova më e fundit në SHBA tregon se vaksina e “AstraZeneca” ishte 79% efektive në parandalimin e rasteve simptomatike të COVID-19 dhe ishte 100% efektive në ndalimin e rasteve të rënda dhe shtrimin në spital.

Në një provë klinike, “Pfizer” thotë se vaksina e saj ishte 95% efektive në parandalimin e rasteve COVID-19 me simptoma dhe 100% efektive kur bëhej fjalë për parandalimin e rasteve të rënda. Moderna përmendi rezultate të ngjashme, me 94% efikasitet.

“Johnson & Johnson” pasi që u testua në SHBA për parandalimin e rasteve COVID-19, ishte 72% efektive në përgjithësi dhe 86% efektive në parandalimin e sëmundjes së rëndë.

Të gjitha vaksina kërkojnë dy doza në intervale të ndryshme kohore. AstraZeneca sugjeron dy doza me diferencë prej 4 deri në 12 javë.

Pfizer sugjeron që të dy dozat të administrohen me tre javë diferencë, Moderna sugjeron katër javë diferencë. Ndërsa  Johnson & Johnson është e vetmja vaksinë që ka një dozë.

Cilat janë efektet anësore të vaksinës AstraZeneca?

Sipas Qendrave për Kontrollin e Sëmundjeve, të gjitha vaksinat e aprovuara kanë të njëjtat efekte anësore të zakonshme:

Dhimbje, skuqje ose ënjtje në krah aty ku ju merrni vaksinën, lodhje, dhimbje koke, të dridhura, ethe etj,

Shqetësimi për mpiksjen e gjakut bëri që disa vende europiane të ndalojnë përdorimin e vaksinës AstraZeneca. Mirëpo , Agjencia Europiane e Barnave ka ardhur në përfundim pas një hetimi, se vaksina nuk rrit rrezikun e përgjithshëm të mpiksjes së gjakut, por nuk mund të përjashtonte që ajo ishte e lidhur me dy lloje shumë të rralla të mpiksjes.

Rreth 20 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe shtetet e BE-së kishin marrë vaksinën që nga 16 Mars dhe kanë rezultuar vetëm shtatë raste të mpiksjes së gjakut.

A funksionon AstraZeneca tek njerëzit e moshuar?

Disa vende europiane fillimisht ofruan vaksinën AstraZenca vetëm për moshën 18-64 vjeç sepse sipas tyre kishte të dhëna të kufizuara se a ka efekt për personat mbi 65 vjeç, apo jo.

Mirëpo Gjermania dhe Franca e kthyen mbrapa këtë qëndrim dhe rekomanduan vaksinën edhe për personat mbi 65 vjeç.

Sa gjatë të mbrojnë vaksinat nga COVID-19?

Ende nuk dihet se sa zgjat mbrojtja me ndonjë nga vaksinat e koronavirusit.

Një studim zbuloi se njerëzit e pavaksinuar që kanë pasur COVID-19, zhvillojnë mbrojtje për të paktën gjashtë muaj. Vaksinat ka të ngjarë të sigurojnë një mbrojtje më të fortë se kjo.

Sipas studimeve ka mundësi që njerëzit të kenë nevojë për vaksinime vjetore kundër COVID-19, ashtu siç ndodh me vaksinimet e gripit sezonal.

Kujtojmë se Kosova është vendi i vetëm në Europë që nuk ka marrë asnjë dozë të vaksinave, që nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19.

Ndërsa deri më sot në Kosovë sipas IKSHPK-së janë regjistruar 87 mijë e 67 raste pozitive nga 410 mijë e 169 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1 mijë e 830 raste të vdekjes, kurse numri i rasteve aktive është 13 mijë e 424./Demokracia.com/

Të ngjashme