OpEd
Çfarë domethënie do të kishte për luftën në Ukrainë rënia e Mariupolit?
Demokracia
14:37 | 25 Prill 2022

Share:

Nga Amy Mackinnon “Foreign Policy”

Para pushtimit të Rusisë, Mariupol ishte një qytet portual i begatë buzë Detit të Zi, ku banonin gati gjysmë milioni njerëz. Duke qenë i rrethuar nga trupat ruse që nga fillimi i muajit mars, ky qytet ukrainas ka përjetuar disa nga luftimet më të ashpra që nga fillimi i luftës.

Forcat ruse e kanë rrethuar qytetin, duke e shkëputur atë pothuajse tërësisht nga pjesa tjetër e vendit. Pas disa javësh nën bombardimet e rënda, përfshirë sulmet mbi një maternitet dhe një teatër ku strehoheshin qindra civilë, forcat e mbetura ukrainase të rezistencës janë strehuar në fabrikën e hekurit dhe çelikut Azovstal, një kompleks i madh me një sipërfaqe 10.4 km2. Zyrtarët ukrainas vlerësojnë se rreth 100.000 civilë mbeten ende të bllokuar në qytet, ashtu siç Dejvid Bizli, kreu i Programit Botëror të Ushqimit, pati paralajmëruar se ata “po vdesin nga uria”.

Një përditësim mbi luftën i publikuar nga ambasada e Ukrainës në Uashington të martën, theksonte se më shumë se 1.000 civilë, duke përfshirë gra dhe fëmijë, mbeten në bodrumet e fabrikës së çelikut, që ka qenë objekt i bombardimeve të rënda dhe zjarrit të artilerisë.

“Këtu është një ferr i vërtetë”- shkroi majori Sergi Volina, komandanti i Brigadës së 36-të Detare të Ukrainës në një letër të hapur drejtuar Papa Françeskut të hënën, e cila u botua në anglisht nga gazeta “Ukrayinska Pravda”.

“Nuk ka shumë kohë për t’ju përshkruar të gjitha tmerret që shoh këtu çdo ditë. Gra me fëmijë dhe foshnja, jetojnë në bunkerët e fabrikës. Ata janë të uritur dhe kanë ftohtë”- shtoi më tej ai. Trupat ukrainase kanë refuzuar një sërë ultimatumesh nga rusët për t’u dorëzuar, pavarësisht paralajmërimeve nga Moska se “do të eliminohet” çdo forcë e mbetur.

Edhe pse qyteti ka rezistuar shumë më gjatë nga sa ishte parashikuar, nëse do të bjerë, do t’i japë Moskës fitoren e saj të parë të madhe të luftës deri më tani. Vetëm 7 javë pas fillimit të luftës, Rusia është detyruar të ndryshojë në mënyrë drastike qëllimet e saj, pasi përpjekjet fillestare për të pushtuar Kievin, kryeqytetin e Ukrainës, nëpërmjet një sulmi rrufe, u penguan nga planifikimi i dobët dhe rezistenca e ashpër ukrainase.

Deri tani forcat ruse kanë marrë nën kontroll vetëm një qytet të madh ukrainas, Kersonin, përgjatë bregdetit jugor, që para luftës kishte një popullsi prej gati 300.000 banorësh. Pasi u tërhoq nga rajoni i Kievit, Moska po i përqendron përpjekjet e saj në Ukrainën Lindore, që ditët e fundit ka përjetuar një rritje dramatike të sulmeve ruse, duke shënuar fillimin e një ofensive të re në Donbas.

Forcat ruse kanë vënë tashmë nën kontroll pjesë të mëdha të rajonit të Luhanskut dhe pjesën më të madhe të vijës bregdetare jugore përgjatë Detit Azov. Nëse Mariupol do të bjerë në ditët në vijim, kjo do t’i jepte Moskës fitoren e saj të parë të rëndësishme në këtë luftë, edhe pse me shumë kosto.

“Mariupol duhet të ishte pushtuar që javën e parë. Rusët kishin të gjitha avantazhet, e megjithatë ja ku jemi”- tha gjenerallejtënant Ben Hoxhs, ish-gjenerali komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë. Disa zyrtarë perëndimorë besojnë se Moska mund të veprojë nën presionin e vetë-imponuar, për të pasur diçka me të cilin të mburret më 9 maj, ditën kur Rusia feston fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Kjo ditë ka një rëndësi të madhe në Rusi, pasi Bashkimi Sovjetik humbi deri në 27 milionë njerëz në atë luftë. Kujtesa e luftës së vendit kundër fashizmit, është shtrembëruar për qëllime politike bashkëkohore në vitet e fundit, pasi Kremlini është përpjekur ta konsiderojë luftën në Ukrainë si një “de-nazifikim” të këtij vendi.

Ashtu si shumë vende evropiane, Ukraina është përballur me të djathtën ekstreme. Por nuk ka asnjë provë që të sugjerojë se ky vend është një bastion i tyre. Një koalicion i partive të ekstremit të djathtë fitoi vetëm rreth 2 për qind në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019, ndërsa partia e udhëhequr nga presidenti ukrainas Volodimir Zelenski – që është hebre – fitoi një shumicë dërrmuese.

Por pushtimi i Mariupolit, mund ta inkurajojë disi Kremlinin. Batalioni Azov në Ukrainë, që u themelua në vitin 2014 nga vullnetarë me lidhje të forta me të djathtën ekstreme, ka qenë pjesë përbërëse e mbrojtjes së qytetit. “Rusia ka të ngjarë të përpiqet që ta kthejë kontrollin e saj mbi qytetin ku operon Batalioni Azov, si pjesë të përpjekjeve të saj për “de-nazifikim”- thotë Dara Masikot, studiuese e politikave në “Rand Corporation”, e specializuar në strategjinë ushtarake ruse, shkruan CNA.

Vënia plotësisht nën kontroll e Mariupolit nga Rusia, do të kishte pasoja të mëdha për fushatën e saj ushtarake si dhe për synimet më të gjera strategjike. Departamenti amerikan i Mbrojtjes vlerëson se ajo do të çlironte rreth 12 grupe taktike batalioni, 8.000 ose më shumë trupa.

Por ato mund të mos jenë gati për betejë, pasi Moska është përballur me shumë humbje dhe me një moral të ulët të trupave të saj. Gjithsesi këto forca mund të ri-dislokohen si pjesë e përshkallëzimit të parashikuar të luftimeve në Donbas. Po ashtu Mariupol do t’i jepte Moskës një bazë strategjike në Detin Azov, nga e cila do të shtonte sulmet drejt veriut në një përpjekje për t’u lidhur me forcat ruse që zbresin nga Harkiv.

Pak para nisjes së luftës, presidenti rus njoftoi se do të njihte pavarësinë e republikave separatiste në Donjeck dhe Luhansk, të pushtuara nga pro-rusët në vitin 2014. Analistët thonë tani se Moska synon të marrë kontrollin e dy rajoneve, duke përfshirë Mariupolin, qytetin më të madh në rajonin e Donjeckut, që ishte nën kontrollin e Ukrainës përpara fillimit të luftës në shkurt.

Vënia nën kontroll e gjithë rajonit, do t’i jepte Moskës një levë të rëndësishme që mund ta përdorë në bisedimet e paqes, dhe diçka që mund ta cilësojë si fitore, pavarësisht se i ka reduktuar shumë ambiciet fillestare të luftës. Por edhe pse rënia e Mariupolit do të ishte një ndihmë për forcat ruse, ajo nuk do të luante domosdoshmërisht një rol vendimtar në betejën e ardhshme në Donbas. Kjo pasi analistët vënë në dukje se Rusia do të vazhdojë ta ketë të vështirë të mobilizojë dhe motivojë trupat e saj.

Të ngjashme